Paga mesatare në Shqipëri, në vitin 2019 ishte 420 euro, që është rreth 30% më e ulët se gjithë vendet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë renditet Kosova (602 euro), Maqedonia (617 euro). Serbia dhe Bosnja e kanë pagën mesatare rreth 700 euro.
Monitor.al krahasoi tabelat e pagave bruto sipas aktiviteteve ekonomike, pas përpunimit të të dhënave nga institutet statistikore të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës për vitin 2019. "Duket se në çfarëdo sektori që të zgjedhësh të punosh në Shqipëri, paga për një të punësuar është më e ulëta në rajon," shkruhet në artikull.
Më shumë paguhen punonjësit në Malin e Zi, mesatarisht me 770 euro.
Sipas Monitor.al, ky nivel pagash është në linjë dhe me të dhënat e Eurostat për të ardhurat për frymë, ku Shqipëria i ka ndër më të ulëtat në Europë, me 31% të mesatares europiane.
Ndonëse ndikim në këtë nivel të ulët mund të ketë dhe informaliteti i lartë në tregun e punës në vend, pagat janë më të ulëta dhe në shtet, përfshirë arsimin dhe mjekësinë.

Artikullin e plotë dhe një shpjegim më të detajuar për secilin sektor e lexoni këtu.