“Bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon përfshirjen edhe të institucioneve jopublike, në funksion të rritjes së kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka miratuar Protokollin për fillimin testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike. Testet duhet të jenë të validuara paraprakisht nga ISHP,” shkruhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të licensuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2.
Ndërkohë, ne do të vazhdojmë me kryerjen e testeve serologjike në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT. Po kështu, është planifikuar fillimi i kryerjes së testimit serologjik në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik.”
Shën.red. Testet serologjike për SARS-CoV-2 janë teste gjaku që përqëndrohen te plazma dhe elementet e gjakut për të parë nëse një person ka qenë i infektuar me koronavirus. Këto teste kërkojnë antitrupat që sistemi imunitar i gjeneron për të luftuar infeksionin. Pra, testet serologjike zbulojnë përgjigjen e organizmit ndaj virusit, jo vetë virusin.
Përsa i përket testimit për kundërtrupa (të njohur edhe si antitrupa) ministria sqaron:
1. Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat. Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me Covid-19.
2. Sido që të jetë rezultati i testimit, pozitiv apo negativ, përsëri duhet të merren masa mbrojtëse për veten dhe të tjerët.
3. Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen.
4. Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar.