Shkencë

Vaksina e re e Oxford kundër Covid-19: Premtuese për të ardhmen

Shkruar nga Anabel

21 Korrik 2020

Vaksina e re e Oxford kundër Covid-19: Premtuese për të ardhmen

Një vaksinë ndaj koronavirusit e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit, duket e sigurt dhe jep një përgjigje imune kundrejt virusit. Studimi, që përfshiu 1077 njerëz, tregon se injeksioni bëri që antitrupat dhe qelizat T të mund të luftojnë virusin. Gjetjet janë tepër premtuese, por është ende shpejt të dihet me siguri të plotë, pasi duhet përfshirë një numër edhe më i madh njerëzish. Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milionë doza të vaksinës.

Si funksionon vaksina?

Vaksina, e quajtur ChAdOx1 nCoV-19, po zhvillohet me një shpejtësi marramendëse. Është krijuar nga një virus gjenetikisht i inxhinieruar, i cili shkakton ftohjen e zakonshme tek shimpazetë. Është modifikuar shumë për të arritur në rezultatin final, së pari që mos të shkaktojë infeksione tek njerëzit dhe “të duket” më shumë si koronavirus.

Shkencëtarët e bënë këtë duke transferuar udhëzimet gjenetike për proteinën “spike” të koronavirusit, që është mjeti kryesor që ai përdor për të pushtuar qelizat tona, në vaksinën tonë. Kjo do të thotë që vaksina ngjason me koronavirusin dhe sistemi imunitar mund të mësojë se si ta sulmojë atë.

Ç’janë antitrupat dhe qelizat T?

Përqendrimi më i madh në luftën me koronavirusin, ka qenë tek antitrupat, por ato janë vetëm një pjesë e mbrojtjes sonë imunitare.

Antitrupat janë proteina të vogla të bëra nga sistemi imunitar, që ngjiten në sipërfaqen e viruseve. Antitrupat neutralizues mund të çaktivizojnë koronavirusin.

Qelizat T janë një tip i qelizave të bardha të gjakut. Ato ndihmojnë në koordinimin e sistemit imunitar dhe janë në gjendje të zbulojnë se cilat nga qelizat e trupit janë infektuar dhe t’i shkatërrojë ato.

Pothuajse të gjitha vaksinat efektive, i përfshijnë të dyja: antitrupat dhe qelizat T.

Nivelet e qelizave T arritën kulmin 14 ditë pas vaksinimit dhe antitrupat arritën kulmin 28 ditë pas vaksinimit. Studimi nuk ka zgjatur mjaftueshëm për të parë se sa kohë mund të zgjasin përfundimisht secila prej tyre. Sipas rezultateve, 90% e njerëzve zhvilluan antitrupa neutralizues pas një doze. Vetëm 10 njerëzve iu dhanë dy doza dhe të gjithë njerëzit e marrë në studim prodhuan antitrupa neutralizues.

Profesor Andrew Pollard, nga grupi i kërkimit në Oksford thotë: “Ne nuk e dimë ende nivelin e nevojshëm për mbrojtje, por mund ta maksimizojmë nivelin e përgjigjes mbrotjëse me një dozë të dytë.”

A është e sigurt?

Po, vaksina është e sigurt, por ka disa efekte anësore, aspak të rrezikshme. Gjatë studimit u vu re se 70% e njerëzve kishin ethe ose dhimbje koke. Studiuesit thonë se kjo mund të menaxhohet lehtësisht me paracetamol.

Profesoreshë Sarah Gilbert, nga Universiteti i Oksfordit, në Mbretërinë e Bashkuar, thotë: "Ka ende shumë punë për të bërë para se të konfirmojmë nëse vaksina jonë do të ndihmojë në menaxhimin e pandemisë Covid-19, por këto rezultate të hershme premtojnë shumë.”

Cilat janë hapat e rradhës?

Studimi nuk mund të tregojë nëse vaksina mund të parandalojë që njerëzit të sëmuren apo edhe të zvogëlojnë simptomat e tyre të Covid-19.

Më shumë se 10.000 njerëz do të marrin pjesë në fazën tjerër në Mbretërinë e Bashkuar. Sidoqoftë, studimi do të ketë në fokus edhe njerëz të vendeve të tjera, pasi niveli i koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar është i ulët, duke e bërë të vështirë të dihet nëse vaksina është efektive apo jo. Do të përfshihen 30.000 njerëz në SHBA, 2000 në Afrikën e Jugut dhe 5000 në Brazil. Po mendohet edhe për disa eksperimente sfiduese, si infektimi i qëllimshëm me koronavirus i personave të vaksinuar, por kjo përfshin një sërë shqetësimesh të tjera etike.

Vaksina e re e Oxford kundër Covid-19: Premtuese për të ardhmen
Studiues duke marrë provëza për t'i analizuar.

A do të mund të marrim një vaksinë?

Me siguri, vaksina do të jetë tërësisht gati në fund të vitit, sidoqoftë, ajo nuk do të jetë e disponueshme gjerësisht. Përparësi do të kenë, në punësuarit në institucione spitalore dhe njerëzit e rrezikuar nga Covid-19, për shkak të moshës së tyre dhe kushteve mjekësore. Ndërkohë që, nëse gjithçka shkon mirë, vaksinimi mund të përhapet gjerësisht vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Boris Johnson, kryeministri britanik, shprehet: “Padyshim që po shpresoj më të mirën, por të them se jam 100% i sigurt se do të kemi një vaksinë këtë vit apo vitin tjetër, më duket një ekzagjerim.”

Burimi: BBC