Planeti

Pamja e Tokës pas 2 dekadash është e frikshme

Shkruar nga Anabel

24 Korrik 2020

Pamja e Tokës pas 2 dekadash është e frikshme

Një nga ligjet kryesore të natyrës – që njerëzimi e kuptoi shumë vonë – është se çfarë do të japësh, do të marrësh. Thënë kjo, brenda dy dekadave, saktësisht në vitin 2040, Toka do të ketë 710 milionë tonë ndotje plastike, pavarësisht përpjekjeve që mund të bëhen për të ulur sasinë e mbeturinave.

Sipas një studimi nga një grup hulumtuesish ndërkombëtarë të botuar në revistën Science (via CNN), edhe në rasin e një skenari të mirë, ku sasia e ndotjes plastike të ulet 80% deri në vitin 2040, sërish do të ketë një ndotje masive nga përdorimi i plastikës.

“Nëse nuk bëjmë asgjë, problemi i ndotjes plastike do të bëhet i pakontrollueshëm. Të mos bëjmë asgjë është diçka që nuk e shohim fare si mundësi,” tha Dr. Winnie Lau, bashkëautore e studimit dhe menaxhere fushatës së Pew Research Center për Parandalimin e Plastikës në Oqean.

Lau e konsideroi studimin një lajm “edhe të mirë, edhe të keq”, sepse ndonëse ndotja nga plastika është përkeqësuar dukshëm, njerëzimi ka të gjithë njohuritë dhe teknologjitë për të bërë një ndryshim të madh.

Miliona tonë plastikë hyjnë në oqeane çdo vit, duke ndotur detet dhe plazhet dhe duke rrezikuar jetën e egër. Grimcat e plastikës janë gjetur në tokë, në atmosferë dhe madje edhe në rajonet më të largëta të Tokës, siç është Antarktida. Mikroplastikat hahen edhe nga peshqit dhe krijesat e tjera të detit, ku futen më pas në zinxhirin ushqimor. Publikuar në Environmental Pollution, një studim nga Universiteti Heriot-Watt vërtetoi se njerëzit gëlltisin më shumë se 100 fibra plastike në çdo vakt. Këto fibra janë gjetur në kripën e detit, mjaltë, sheqer, birrë si dhe në ujin e çezmave apo atë të ambalazhuar.

Pamja e Tokës pas 2 dekadash është e frikshme
Balenë në Naic, Cavite në Filipine/ shkencëtarët gjetën copa të mëdha plastike në zorrët e balenës.

Kujtojmë se në tetor të vitit 2019, në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u bënë disa ndryshime, ku u ndalua përdorimi, hedhja në treg, prodhimi, importimi apo futja në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, qeseve të lehta plastike mbajtëse, qeseve shumë të lehta plastike mbajtëse, si edhe qeseve të oxo-degradueshme dhe të oxo-biodegradueshme (qese plastike të prodhuara nga materiale që përfshijnë substanca, që katalizojnë copëzimin e materialit plastik në mikro-fragmente).

Në nenin 3 të ligjit të ndryshuar, u shkrua se çdo person që hedh në treg, prodhon, importon, apo fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qeset plastike të përshkruara më sipër, do të dënohet me gjobë nga 1,000,000 deri në 1,500,000 lekë. Përsa i atyre që përdorin qeset plastike, masat do të jenë nga 30,000 deri në 100,000 lekë. Megjithatë, përpos këtyre ndryshimeve të rëndësishme, duket se vendi ynë, si mbarë bota, është ende shumë larg të kuptuarit dhe të ndërgjegjësuarit për rrezikshmërinë e plastikës.

Sidoqoftë, niseni ndryshimin nga vetja. Ricikloni (mos blini dhe mos merrni qese plastike nëpër supermarkete, por përdorni një trastë të hollë ose çantë). Ndërkohë:

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ANTI SINGLE-USE MOVEMENT ?? (@plastinc.app) on