Dalina@Anabel

Përpara se të na uroni në grup 2015-ën

31 Dhjetor 2014

Përpara se të na uroni në grup 2015-ën

Unë i kam shumë inat rezolutat që bëhen zakonisht për vitin e ardhshëm, për një arsye të thjeshtë: “Ku e di unë se ç’do të ndodhë?!” Është shumë e mërzitshme të bësh plane të hollësishme dhe t’i ndjekësh të gjitha ato me përpikmëri. Ku shkon pastaj e bukura e të papriturës që ka jeta? Megjithatë, frymëzuar nga ajo çfarë kam parë, përjetuar dhe çfarë kam lexuar (dhe më besoni, në Anabel kam marrë një kulturë sociale të jashtëzakonshme këtë vit nga rrëfimet tuaja), vendosa të bëj një listë me gjëra që do të lutesha të mos përsëriteshin më.

1.Le të qahemi më pak dhe të bëjmë më shumë
Për një fakt të thjeshtë. Askush nuk do t’ja dijë për ankesat tuaja nëpër rrjete sociale, për qurravitjet e shpeshta kundër qeverisë dhe shoqërisë, për dëshpërimin si pasojë e konspiracioneve që krijoni në mendjen tuaj. Njerëzit që ankohen përveçse nuk i sjellin asnjë dobi (vetëm dhimbje veshësh) të tjerëve, nuk ndihmojnë as veten e tyre, por ngecin në vend numëro. Të duket fatura e dritave e pajustifkueshme? Shko ankohu në zyrën përkatëse. Provoje njëherë përpara se të shkruash statuse se si shteti nuk të dëgjon ty dhe se si s’ka vlerë që ti të bësh diçka për të ndryshuar. Mendon se profesori yt të paragjykon sepse ti nuk jep lekë si të tjerët? E vërtetë kjo? Mblidh fakte!  Ka plot televizione që janë gati të bashkëpunojnë siç e kanë bërë. Por ndoshta me fakte (rrofshin celularët në kohërat moderne) mund edhe të vësh në dijeni dekanin dhe nëse ti ke informacion në dorë (Informacioni është Pushtet), të siguroj që diçka mund të ndodhë. Por nëse rri heshtur dhe nën bankë shan nëpër komente profesorin me llogari anonime, maksimumi fiton vetëm disa likes dhe një 3 vjeçar torturues në fakultet.

2.Le të mos quajmë njëri-tjetrin “katunar”.
Boll me këto ndarje klasore, aq më tepër që jemi ne që votojmë për “të ardhurit” në pushtet, që dëgjojmë këngët e “të ardhurve” dhe i duartrokasim ato, që punësohemi nga “të ardhur” të cilët kanë arritur suksese të mëdha në biznes. Fundja “të ardhurit” ku erdhën? Në Paris? Jo, në Tiranë, atje ky “vendalinjtë” nuk është se po “shndrrijnë” me zbulime shkencore, me biznese të jashtëzakonshme, me letërsi nobeliste, me filma Oscar apo fundja edhe me një edukatë të thjeshtë të jetesës në komunitet. Në këtë “kaos” të quajtur Tiranë, jemi të gjithë bashkëfajtorë e bashkëvuajtës. Ka mbi gjysëm shekulli që Tirana është përzierë me njerëz nga origjina të ndryshme dhe kush e ka të vështirë ta pranojë, atëherë duhet të kuptojë që problem qëndron tek mendjengushtësia e tij dhe paaftësia për të bashkëpunuar dhe për të pranuar. E si mund të jesh perëndimor e mendjehapur, kur je kaq paragjykues?

3.Le të shijojmë rrjetet sociale, por mos të jetojmë jetët e të tjerëve në rrjete sociale 
Gjithçka duket e bukur në Instagram dhe Facebook. Çdo ditë me dhjetëra foto VIP-ash na rrëfejnë për lukse të shfrenuara, për veshje që kalojnë 1000 eurot, për pushime në ishuj që ne as emrin s’jua themi dot, për trupa perfektë me vithe të ngritura dhe lëkura të porcelanta, për dashuri të forta e surpriza të jashtëzakonshme. Fati i njerëzve me rrjetet sociale është se tani, ata e kanë vetë në dorë të redaktojnë dhe retushojnë jetët e tyre dhe të shfaqin për të tjerët 1 të miliardtën e asaj se çfarë u ndodh në të vërtetë. E kush do të tregojë se atë foto të lumtur të shkrepur e ka bërë enkas për t’u parë nga dikush që i ka braktisur? E kush do që të thotë haptas se ajo çfarë po vesh është pjesë e një biznesi që po ndërton dhe që së shpejti do të të marrë edhe lekët e tua teksa ti je hipnotizuar nga perfeksioni i saj. Në foto buzëqeshja apo trupi  i bukur nuk të rrëfen vetminë, një sëmundje në familje, një frikë të vjetër, një braktisje, një dështim. Fotoja është ajo se si duam ne të na shohin të tjerët dhe jo se si jemi në të vërtetë. Mos bini pre e PR-it që ndodh. Shijojini, frymëzohuni nëse ka vend për t’u frymëzuar, por mos kërkoni që jetët e tyre të jenë jeta juaj. Është krim të mos i marrësh më të mirën jetës që ke.

4.Le të shajmë më pak pas krahëve.
Je i zoti t’ja thuash në sy? Jo! Atëherë mbylle njëherë e përgjithnjë! Trimëritë e tavolinave të ndjekura nga sms “Të lutem këtë që thashë mos e bëj muhabet me njeri”, apo komnetet keqdashëse në anonim, nuk tregojnë absolutisht asgjë për vlerën e atij që shahet, por për difektet e tua. Jemi të gjithë fajtorë në këtë pjesë? Po. Shpesh e kemi të pamundur të mos shfryhemi diku, por kur kjo na bëhet qëllim në vetvete apo kur tregojmë një sjellje krejtësisht ekstreme të sjellshme me personin që e kemi sharë kur e kemi përballë, na bën …hmm…ta them shkoqur: legenë.  Ti do të doje të ishe një “legen” për 2015-ën, vetëm se ke investuar aq shumë energji negative prapa krahëve për të diskretituar figurën e një personi?  Dhe fundja, nëse e ke bërë gjatë 2014-ës, çfarë ke fituar realisht? Sepse jam e sigurtë që personi “i sharë” ka vijuar me jetën e tij/saj, madje nëse ka qënë publik, edhe më mirë falë vëmendjes që i ke dhënë ti dhe “legenë” të tjerë.

5.Le të shijojmë jetën, pastaj celularin.
Ku ikën ato kohë që dashuritë e çmendura nisnin nudo e përfundonin nudo në shtrate të djersitura hotelesh apo sedilje makinash? Pse tashmë çdo moment “Dashurie” u dashka dokumentuar në Facebook dhe Instagram dhe çiftet që s’kanë arritur të 30-tat, duken si turistë të moshuar të martuar për së dyti në Karaibe? Ku shkoi rinia që pinte diskotekave deri në harbim dhe të nesërmen endej nëpër shtëpi me dhimbje koke nga alkoli dhe telefonatat “e gabuara”. Si ka mundësi që në një vend të zhurmshëm nën efektin e dritave dhe të alkolit, rinia gjen kohën të bëj foto si albumet e maturës me nënshkrime që as nuk i përkasin të vërtetës, të tipit : “Gocat u çmendën”, ndërkohë që në foto nuk ka asnjë shenjë djerse, floku të shpurpurisur apo fustani të zhvendosur nga kërcimi? Ku shkuan të rinjtë që ndezin zjarre natën nëpër plazhe, gjëmojnë dashuritë verore, bëjnë autostop apo kërcejnë në makinë me xhama të hapura? Sepse fotot që na mbushin rrjetet sociale janë vetëm me “të rinj të moshuar” që harkohen si ura e San Franciscos për pak vithe më shumë apo me skenografë të talentuar që kujdesen të vendosin çdo lloj produkti (Shampanjë, celular të fundit, makina më e mirë, këpucët më të shtrenjta) prapa një selfie për të treguar luksin e jetës së tyre. Sa e mërzitshme një rini që “nuk çmendet” por vetëkontrollohet në mënyrë obsesive, që nuk rrëmbehet nga pasioni i momentit por ka kthelltësinë për të kuruar dhe për ta pasqyruar realitetin si spektakël televiziv. 

6.Le të lexojmë, të shohim filma dhe të dëgjojmë muzikë të mirë më shumë
Jemi të parët që ankohemi për anti-vlerat e shoqërisë sonë moderne, por kur hapim në Anabel diskutime librash, të fundit që komentojmë, ose kur komentojmë, zakonisht vërtitemi rreth të njëjtëve tituj librash. Mallkuar qofsh nëse s’e ke lexuar Khaledin apo Kadarenë! Mallkuar qofsh nëse s’të pëlqen  filmi “Vjeshtë në Nju Jork” apo “The Wolf of Wall Street”. Sepse të gjithë të tjerët e pëlqejnë dhe ti do të ngelesh pa miq. Jo se ata do të gjykojnë, por kaq kanë lexuar dhe nuk kanë interes për asgjë që nuk i pëlqen masës. Dhe fatkeqësisht “MASA” është aq e madhe, sa njerëzit që ofrojnë sugjerime të tjera, janë aq të izoluar sa zor se dëgjohen në këtë shoqëri të njehsuar. Nuk jam kundër kulturës pop, biznesi im mbështetet në kulturën pop, por ka aq bukuri në art e kulturë, saqë është një krim të kalosh një jetë duke i shpërfillur ato. Piktura nuk është vetëm Mona Lisa, letërsia nuk është vetëm çfarë të jep shkolla me detyrim apo çfarë libri ka shitur më shumë, muzika nuk është ajo që fiton festivale e merr më shumë klikime. Sado e çuditshme mund të të duket, por Arti i Vërtetë të plotëson e të bën një qytetar më të mirë për veten dhe për vendin tënd. Mungesa e bagazhit dhe e fantazisë që mund të zhvillohet nëpërmjet të lexuarit, dëmton edhe zgjedhjet që bën në jetë e të jep ty një mundësi të kufizuar për të bërë edhe një jetë  të rëndomtë, të vogël dhe të izoluar brenda një bote të mrekullueshme shumëngjyrëshe.

7.Le të punojmë fillimisht, pastaj të ankohemi se s’ka punë
Matematika është e thjeshtë: Çdokush që ka kërkuar punë dhe e ka justifikuar punën që ka gjetur ka përfituar. Çdokush që ankohet se nuk ka punë dhe pret  t’i vijë një punë e t’i trokasë në derë, ka humbur. Sado që të ankohemi për papunësinë, unë jam e bindur se për atë që do të punojë ka gjithmonë një derë të hapur. Mjafton të kërkosh!  Nuk të pëlqen kërkimi? Të duket i lodhshëm? Epo duhet të dish që të gjithë ata që janë sot në pozicione që ti i ëndërron, nuk e kanë gjetur gati tavolinën e shtruar me gjelin e detit dhe një ofertë pune me rroga mbi 1 milion. Natyrisht që ka edhe prindër që kanë ndihmuar fëmijë e të afërm të tyre dhe mirë kanë bërë. Por po të përqëndrohesh në këtë përqindje të papërfillshme, humb shansin për t’u futur në tregun e punës. Dëmi është vetëm i yti. Si fillim mos harro: Çdokush ka nisur nga zero. Nuk mund të bëhesh shefe finance vetëm se ke qënë me 10-ta në financë. As nuk mund të bëhesh producent, vetëm se ke parë shumë televizion dhe mendon se ke një nuhatje të jashtëzakonshme. Fillo të fotokopjosh dokumenta, prano t’i çosh kafen shefit e paralelisht përpiqu t’u tregosh eprorëve që vlen më shumë se kaq. Askush nuk do të heqë nga puna një njeri që vlen. Nëse e bëjnë, humbja e tyre! Ti prapë vlen dhe prapë dikush do të të presë me krahë hapur! Natyrisht që tregu i punës ofron edhe shefa manjakë e bastardë, por biznesmenët e vërtetë, në fund të ditës kërkojnë të jenë në rregull me xhiron vjetore dhe çdo qindarkë që kanë harxhuar për rroga, të jetë e justifikuar. Ndaj mos u zhgënje nga disa “goditje jashtë porte”, vazhdo të sulmosh dhe një ditë do të jesh ti mbret i fushës.

8.Le të duam trupin tonë më shumë
Sepse është i yni dhe i askujt tjetër. Na bëri Zoti të shkurtër? Na bëri Zoti me vithe të gjera? Me kyçe këmbësh të trasha? Me shpatulla të ngushta? Me gjoks të vogël? Po çfarë të bëjmë tani? Ca gjëra kirurgjia plastike edhe i ndryshon dhe s’ka asgjë të keqe që të duash t’i ndryshosh (Vetëm kujdes kirurgun që zgjidhni!). Por e sigurt që prapë do të jemi të pakënaqur. Por me kë matemi? Me engjëjt e Victoria’s Secret? Me Nora Istrefin? Apo me atë gocën që të gjithë meshkujt e kanë qejf, madje edhe ai që ke në krah? “So What?” do të pyesnin amerikanët. Engjëjt e Victoria’s Secret janë zgjedhur mes qindra-mijëra vajzave të tjera, si trupat idealë për të promovuar linjën e të brendshmeve. Ato janë pjesë e një biznesi gjigand që funksionon mbi një filozofi: “T’ju bëjnë juve aq xheloze, sa të mendoni se të paktën të veshura si ato, ju mund të jeni aq joshëse!” Edhe ajo goca që të gjithë e duan, mos mendoni se është vetëm nga trupi i saj që merr vëmendjen. Ju nuk njihni mirë meshkujt! Ata do të ngacmonin çdo lloj vajze në rrugë me çdo lloj prerje trupi, ngjyre sysh apo krehje flokësh, vetëm nëse kishte atë faktorin flirtues, që nuk vjen aspak nga veshja apo forma trupore, por nga brenda. 

Të torturosh trupin në dieta drastike vetëm se “kështu na pëlqejnë më shumë” është si t’i injektosh një vdekje të ngadaltë shëndetit tënd. Kush na do kështu? I keni parë mirë ata që ju mendoni se kanë këto standarte? I keni parë trupat e tyre, i njihni jetët e tyre? E meritojnë ata që t’ju vendosin juve në këto ekstreme? Është Ok të duash më të mirën për veten dhe të kesh një formë optimale të shëndetshme, por nuk është  “ok” të kërkosh perfekten deri në dëshpërim, duke menduar se kështu pranohesh më shumë.  Duajeni trupin tuaj, ushqejeni mirë atë, sepse është makineria që do t’ju mbajë gjallë deri në frymën e fundit.

 9.Le të falim më shumë
“Sedërli” është një shprehje që zor se e gjen në gjuhën e shumë kulturave. Në emër të “sedrës” këtu merren vendime nga më të çmendurat që çojnë deri në gjakmarrje e vrasje për motive të dobëta. Nuk falim se “jemi burra”, se jemi “parimorë”, se kështu “jemi rritur” dhe jetojmë një jetë të përgjysmuar, duke mos folur me vëllanë e motrën, me miqtë tanë më të ngushtë.  Kujt i bëri mirë “sedra”? Askujt! I rroftë certifikata e “Sedërliut të vitit” se përbrenda vetëm sa i gërryu këta njerëz deri në vdekje. Duhet të falim edhe ata që na bëjnë keq? Varet! Ndoshta është mirë të mos flasim me to, por le t’i lëmë të ikin nga shpirti dhe truri ynë. Janë ngarkesa të tepërta që na sjellin veçse të këqia. Në jetë takohemi me lloj-lloj njerëzish dhe në familje nuk i zgjedhim dot as prindërit dhe as motrat e vëllezërit. Por edhe një jetë të dytë të qetë nuk zgjedhim dot, ndaj më mirë të përpiqemi të mos humbin shansin tonë të vetëm të ekzistencës. Mos harroni që të gjithë marrim dënimin që meritojnë.  Në një formë apo tjetër të gjithë paguajnë për gabimet e tyre. Disave u vjen pagesa në derë më herët, e disave më vonë. Tek disa është me i dukshëm dënimi, kurse të tjerë e vuajnë në forma që në publik askush nuk i kupton. Por gjërat vihen në vendin e tyre, të gjitha vihen në vend. E rëndësishme është që të mos jemi ne ata që konsumohemi me hakmarrje, por të përqëndrohemi se si ta bëjmë më mirë jetën tonë, me ato që kemi. Dhe atë ditë kur të mos e kemi fare mendjen, do të mësojmë se dikur “armiqve” tanë, u erdhi fatura poshtë derës.  Dhe s’do të na interesojë!

 10.Bëni seks!
Këtë këshillë e huazova nga filmi “Eyes Wide Shut”. Fjalia më domethënëse e mbylljes së filmit, kur Nicole Kidman i thotë Tom Cruize “Let’s Fuck!”

Nuk ka asgjë të keqë me seksin, por e keqja qëndron në marrëdhënien që ne krijojme me seksin. Seksin nuk mund ta përdorim për të bërë dikë për vete, nuk mund ta shpërdorojmë për të ndjerë vëmendjen e të gjithëve, nuk mund ta keqpërdorim për të poshtëruar dikë, nuk mund ta injorojmë në emër të një morali të pakuptimtë dhe as nuk mund të mos ta diskutojmë nga frika se do të “shënjohemi” si “k*rva” apo “k*rvarë”. Është një pjesë jashtëzakonsisht e rëndësishme e jona dhe duhet ta shijojmë.  Fatkeqësisht Zoti e bëri seksin një aktivitet aq të jashtëzakonshëm, saqë me të erdhën të “këqijat”e tjera të njerëzimit si “tundimi” dhe “uria për pushtet”.  Por duke hequr të gjitha ato çfarë e rrethojnë “seksin”, duhet të pranojmë se seksi, ose të bërit dashuri me atë që do është një proçes i mrekullueshëm dhe i domosdoshëm në jetëgjatësinë e një çifti. Nuk ka asgjë të turpshme në krevat, është akti më i lartë i çlirimit dhe shpesh për shumë, i vetmi moment kur ndihen të lirë. Jo më kot ne nisëm rubrikën “Kod i Kuq” me histori seksuale. Donim që njerëzit të kuptonin se nuk ishin të vetëm me fantazitë dhe eksperiencat e tyre dhe të shihnin se edhe pse në publik ne jemi ende të ndrydhur dhe e kemi tabu diskutimin rreth këtij akti kaq organik, prapa perdeve të dhomës, bëjmë shumë gjëra. Dhe kënaqemi. Dhe nuk ka asgjë të keqe.  Trupi është një mrekulli që duhet eksploruar dhe  sa mirë ta eksplorosh atë me njeriun që do dhe aq më mirë të vazhdosh ta eksplorosh përgjatë martesës edhe më tej, pa menduar qoftë një sekondë se ka një masë apo një moshë për të bërë dashuri.