Një depo që ruante mijëra tonë materiale të pasigurta shpërthyese mendohet të jetë një burim i mundshëm i shpërthimit masiv në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, i cili deri tani ka shkaktuar të paktën 100 viktima dhe ka plagosur mbi 4,000 njerëz, por këto shifra kanë të ngjarë të rriten. Kryeministri i Libanit, Hassan Diab, tha se 2,750 tonë nitrat amoni, i cili përdoret zakonisht si pleh bujqësor ose për të përgatitur eksplozivë, ruhej në depo në kushte të pasigurta duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve. Nuk dihet ende saktësisht se çfarë e shkaktoi shpërthimin e fuqishëm që shkatërroi ndërtesa deri në disa kilometra larg, megjithatë shumë pikëpyetje janë ngritur për depon misterioze.
Shënim: Në artikujt e mëparshëm, lënda plasëse u shkrua gabimisht "nitrat amoniumi" referuar emrit të tij latin. Termi gjegjës në shqip është nitrat amoni.
Anthony May, tashmë në pension, ka punuar si hetues i eksplozivëve në Byronë e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, pjesë e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai tha për CNN se “reja e kuqe dhe e ndritshme, më pas në ngjyrë të errët që shihet në videot e shpërthimit” nuk është në përputhje me nitratin e amonit. Nëse do të ishte një substancë e tillë, reja do të ishte e verdhë, sipas tij.
“Nuk po them që nitrati i amonit nuk ishte i përfshirë në shpërthim, por mund të ketë pasur edhe gjëra të tjera atje,” tha ai. “Sasia e eksplozivëve dhe valët e goditjes të krijuara nga shpërthimi janë të barabarta me një bombë bërthamore një kiloton,” shtoi ai. “Nuk dimë të ketë pasur materiale bërthamore, por vala e shpërthimit është e barabartë me një pajisje të vogël bërthamore.”
Më shumë i shtoi pikëpyetjet edhe presidenti Trump, i cili u shpreh se ngjan “me një sulm të tmerrshëm”.
Po kështu, Lina Khatib, e cila udhëheq Programet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut në Chatham House (institucion i Mbretërisë së Bashkuar për çështje ndërkombëtare) në Londër, ka vënë në dyshim substancën.
“Kush ka nevojë për 2,750 tonë nitrat amoni?” pyet ajo. “Dihet që kjo substancë përdoret si lëndë plasëse dhe dihet gjithashtu që Hezbollah, grup i armatosur libanez, shpesh përdor materiale kontrabandë si këto në portin e Libanit, kështu që është e besueshme që Hezbollah të ketë lidhje me shpërthimin, megjithëse është herët për të folur me siguri.”
“Por sigurisht që nuk është një rrethanë normale. Padyshim që industria e bujqësisë në Liban nuk ka përfituar ndonjëherë nga tone me pleh që qëndrojnë në port për gjashtë vjet”.
Burimet: CNN, The Guardian, BBC