Një pjesë e mirë e njerëzve mendojnë se kushte të caktuara të shëndetit mendor janë të rralla dhe ndodhin te njerëzit e tjerë, jo tek ata. Në fakt, sëmundjet e shëndetit mendor janë të zakonshme dhe të përhapura. Duke qenë se truri është një organ “misterioz” jo fort i studiuar, shumë familje nuk dinë se si të sillen me dikë që ka një çrregullim të caktuar. Shtojmë këtu edhe faktin se një pjesë e njerëzve refuzojnë të pranojnë problemin, gjë që përkeqëson gjendjen e tyre.
Çfarë është konkretisht një sëmundje mendore?
Sëmundjet/çrregullimet mendore janë gjendje të caktuara në tru të cilat ndikojnë te procesi i të menduarit, emocionet dhe sjelljet. Të gjithë njerëzit kanë tru, pra të gjithë kemi shëndet mendor.
Disa njerëz, për shkak të gjendjeve të caktuara të trurit, nuk janë në gjendje të mendojnë, ndihen dhe veprojnë si gjithë të tjerët. Mund të ndodh të përjetojnë ndryshime ekstreme të humorit, të ndihen të trishtuar, të shqetësohen për gjëra normale. Disa të tjerë mund të mos jenë në gjendje të komunikojnë ose të kenë mendime normale.
Sot, ekzistojnë më shumë se 200 grupe klasifikuese të sëmundjeve mendore, ku disa nga më të përhapurat janë: depresioni, çrregullimi bipolar, skizofrenia, ankthi, ndryshimet e personalitetit etj.
Përsa i përket simptomave, është e rëndësishme të theksohet se sëmundjet mendore kanë specifikat e tyre, shpeshherë të ndryshme nga një individ te tjetri dhe në disa raste, mund të jenë të njëjta për çrregullime të ndryshme. Thënë kjo, ekpsertët e kanë të vështirë të paraqesin një listë me simptomat e hershme, megjithatë disa prej tyre mund t’ju vijnë në ndihmë për të kuptuar që prej fillimit se një anëtar i familjes ose grupit shoqëror ka një problem të caktuar mendor.
Shenjat te të rriturit, të rinjtë dhe adoleshentët:
- të menduarit në mënyrë të hutuar
- trishtim dhe nervozizëm i zgjatur
- ndenjë e frikës në nivele ekstreme ose mungesë e saj
- frikë, shqetësime dhe ankth i tepërt
- ndryshime dramatike në të ngrënë
- ndjenjë e fortë zemërimi
- mendime të çuditshme (mashtrime)
- të parit ose të dëgjuarit e gjërave të paqena
- pamundësi për t’u përballur me probleme të zakonshme të jetës së përditshme
- sëmundje fizike të pashpjegueshme
- përdorim substancash narkotike.
Shenjat te fëmijët dhe para-adoleshentët:
- pamundësi për t’u përballur me problemet dhe aktivitetet e përditshme
- ndryshime të zakoneve në të ngrënë dhe/ose gjumë
- ankesa të tepërta për sëmundje fizike
- ndryshime të aftësisë për të menaxhuar përgjegjësitë
- frikë
- mungesë humori dhe/ose oreksi
- mendime vetëvrasjeje
- shpërthime të zemërimit
Shenjat te fëmijët e vegjël:
- ndryshime në performancën në shkollë
- nota të dobëta, pavarësisht përpjekjeve të mëdha
- ndryshime në zakonet e gjumit dhe/ose ngrënies
- hiperaktivitet
- makthe të vazhdueshme
- mosbindje
- shenja agresioni
Artikuj të rekomanduar:
- Simptomat nga fëmijët te të rriturit: Ç’duhet të dini për çrregullimin bipolar
- Nga shkaku te trajtimi: Pse të jesh perfeksionist është e rrezikshme
- Çrregullimet e personalitetit: Çfarë janë, cilat janë simptomat dhe si trajtohen
- Informacionet tmerruese të Dr.Google: Ja pse mund të jesh duke vuajtur nga kiberkondria
- Fotoja kuptimplotë e Lorit: ‘Kjo ishte një nga periudhat më të vështira në jetën time’
Burimet: Mental Health America, Healthline