Sot (31 gusht) në bangat e shkollave janë rikthyer të gjithë nxënësit që nuk kanë patur mundësi të ndjekin mësimin online gjatë periudhës së karantinës.
Mësimi i klasave plotësuese, sipas njoftimit të bërë nga Ministria e Arsimit do të zgjasë deri më 11 shtator për nxënësit e klasave të ciklit fillor, nga klasa e parë deri në të pestën.
“Bëjmë me dije se në datën 31 gusht deri në 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese VETËM me ata nxënës të klasave 1-5 (cikli fillor), të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, mars–maj 2020.
Ky program plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020."- thuhej në njoftimin zyrtar.
Orët mësimore do të zhvillohen sipas udhëzimeve të publikuara dhe normalitetit të ri që do të aplikohet në sezonin e ri shkollor. Zyrtarisht, të gjithë nxënësit e tjerë do t'i rikthehen shkollave më 14 shtator.
Burimi: Abc News