Muzika

Ava Max flet për origjinën shqiptare dhe planet e ardhshme në muzikë: ‘Mezi pres të vij’

Shkruar nga Anabel

31 Gusht 2020

Ava Max flet për origjinën shqiptare dhe planet e ardhshme në

Ava Max, në një intervistë të parë për mediat shqiptare, të dhënë në emisionin e mëngjesit në RTV Ora, “Ditë e re” me Ariola Shehun, foli ndër të tjera për origjinën shqiptare dhe planet e ardhshme në muzikë.

Ava, emri i vërtetë i të cilës është Amanda Koçi, u ndal në fillim te origjina shqiptare, ndonëse vetë ka lindur në SHBA.

“Babai im ka lindur në Qeparo, ndërsa mami në Sarandë. Jam entuziste të vij në Shqipëri. Do të vija këtë vit, por për shkak të virusit nuk munda. Nuk kam qenë kurrë në Shqipëri. Dua të vij shumë. Kam shumë familjarë që na presin. [...]  Kur prindërit erdhën në Amerikë, nuk flisnin anglisht, nuk kishin para dhe punonin shumë që të na siguronin jetesën. Unë qëndroja me gjyshen dhe në një farë mënyre u rrita nga ajo.

Ka qenë shumë e vështirë në fillim sepse industria e muzikës është e vështirë në përgjithësi, sidomos nëse je femër. Askush nuk donte të firmoste me një vajzë 14 vjeçare. Teksa rritesha, përpiqesha vazhdimisht. Prindërit më çonin nëpër konkurse këndimi. [...] Prindërit më kanë thënë gjithmonë që të punoj fort dhe të jem krenare për origjinën dhe jam krenare që jam shqiptare.”

Këngëtarja u shpreh se është ende në pritje të bashkëpunimit me Bebe Rexhën, Dua Lipën dhe Rita Orën. Vitin e ardhshëm, ajo shtoi se ka në plan të vizitojë Shqipërinë dhe të performojë, ndërkohë po punon për albumin e ardhshëm.