Në një postim të fundit në Instagram, në një “zyrë” me pamje nga deti, Alketa Vejsiu falenderoi (sërish) mentoren e saj, Vera Grabockën.
“Një student i mirë do të qëndrojë gjithnjë i përulur dhe mirënjohës përpara profesorit të tij. Ju mund të kaloni momente historike në jetën tuaj, por duhet të shihni gjithmonë nga origjina dhe t’i kujtoni vetes ‘Si arrita ta ngjis atë mal të thepisur?’. Me Vera Grabockën, duke punuar për formatin e tij. Zyrë me pamje nga deti. Një student i mirë do të mbetet gjithmonë modest dhe i vogël përpara mësuesit të tij dhe t’i kujtojë vetes gjatë rritjes që kreshtën e malit nuk e ngjiti vetëm.”
View this post on Instagram
Për hir të së vërtetës, nuk është hera e parë që Vejsiu falenderon Grabockën, madje jo më kot “Faleminderit, Vera” është kthyer në meme, është përdorur nëpër skeçe, nëpër emisione dhe batuta mes miqsh. Patjetër që takimi në vendin e duhur, në kohën e duhur me regjisoren shërbeu si një moment kyç në karrierën e Vejsiut, duke mos anashkaluar sigurisht talentin dhe punën e vazhdueshme të kësaj të fundit. Megjithatë duhet theksuar se suksesi nuk është vetëm “njerëz të duhur në kohën e duhur” por, siç shkenca thekson, ka rëndësi raporti që ti krijon me personat që të kanë ndihmuar, qoftë edhe pak, në karrierë.
Fakti qe Vejsiu falenderon vazhdimisht Vera Grabockën duhet parë ndoshta si çelësi i suksesit të saj, sepse shkencërisht ka fakte që e mbështesin si argument.
Së pari, sipas Psychology Today, mirënjohja të hap shumë dyer në jetë. “Faleminderit” nuk është vetëm fjalë magjike që të bën ty të dukesh i sjellshëm, por shfaq vlerësimin që ke për të tjerët, gjë që sigurisht të ndihmon të fitosh miq dhe bashkëpunëtorë të rinj, sipas një studimi të vitit 2014 të botuar në Emotion. Studimi theksoi se të qenit mirënjohës ju bën më të predispozuar për të patur njohje dhe mundësi të reja.
Së dyti, mirënjohja përmirëson vetëvlerësimin. Një studim i vitit 2014 i botuar në Journal of Applied Sport Psychology, zbuloi se mirënjohja rrit vetëvlerësimin dhe performancën. Studime të tjera thonë se të qenit mirënjohës zvogëlon mundësitë për t’u krahasuar me të tjerët, gjë që ndikon pozitivisht te arritjet profesionale, sepse individi përqëndrohet vetëm te vetja.
Së treti, mirënjohja përmirëson shëndetin mendor. Hulumtime të vazhdueshme, si një i botuar në Behavior Research and Therapy në vitin 2006, raportoi se veteranët e luftës në Vietnam që kishin një shkallë të lartë mirënjohjeje, patën nivele më të ulëta të stresit post-traumatik. Pra, të qenit mirënjohës, pavarësisht vështirësive dhe ulje-ngritjeve, redukton stresin dhe të tjera probleme shëndetësore.
Së fundmi, mirënjohja përmirëson edhe psikologjinë. Thënë kjo, njerëzit mirënjohës kanë më pak emocione toksike, nuk kanë zili dhe inate, pavarësisht zhgënjimeve që mund të kenë hasur. Robert Emmons, një studiues i rëndësishëm i mirënjohjes, ka kryer hulumtime të shumta mbi lidhjen midis mirënjohjes dhe mirëqenies. Studimet e tij konfirmojnë se mirënjohja rrit në mënyrë efektive lumturinë, zvogëlon depresionin dhe sigurisht ndikon te suksesi.
Me pak fjalë, siç shprehej dikur autori amerikan Zig Ziglar, i njohur si një nga gurutë më të famshëm për jetën dhe suksesin, sa më shumë mirënjohje të shfaqësh, aq më shumë mundësi të tjera do të të vijnë për të qenë mirënjohës.