Projekti i ri i Anabel Media është një program për fëmijë, detajet e të cilit nuk janë zbuluar ende, ndonëse dihet vetëm që do të ketë pjesëmarrës fëmijë të moshës 5-13 vjeç, të cilëve iu kërkua të aplikonin përmes një videoje prezantuese të vetes. Nisur nga aplikimet, @anabel_media ngriti një shqetësim në Instagram, të cilit iu bashkuan edhe shumë prindër shqiptarë, një pjesë e të cilëve jetojnë jashtë Shqipërisë.
“1/3 e mbi 300 fëmijëve nga mosha 5-13 vjeç që aplikuan për produksionin e ri për fëmijë në Anabel, flisnin vetëm anglisht në videon e prezantimin dhe në theks amerikan. Përpos faktit që shumë mirë që e dinë anglishten se do u shërbejë, kjo është dhe një shenjë shqetësuese që tregon për mungesën e përmbajtjes në shqip për fëmijë, pra vetë televizioni dhe sistemi shkollor po i largojnë fëmijët nga gjuha e tyre mëmë. Natyrisht argumenti është që lufta me përmbajtjen e YouTube-t dhe TikTokut humbet kollaj, por problemi është që këtu nuk ofrohen zgjedhje.
Fëmijët e sotëm inteligjentë nuk e gjejnë veten në asnjë lloj programacioni. Kënga e fundit për ta është ‘Në Tropik’; në YouTube janë disa versione tallava me patate e rrota autobusi. Ka platforma si Living që po bëjnë punë shumë të mirë, por në televizionet kombëtare e televizionet e tjera private nuk ofrohet asgjë. Fëmijët e sotëm do rriten dhe nuk do e gjejnë më veten këtu nëse ne nuk ndryshojmë me ta. Nëse nuk e kapim ritmin e tyre. Nga çfarë pamë në audicione, ne po rrisim 1/3 amerikanë. Gëzuar!”
Nisur nga kjo, të shumtë qenë prindërit që reaguan, mesazhet e të cilëve po i grupojmë në dy problematika kryesore:
A. Problemi i emigracionit dhe prindërit që refuzojnë ose nuk përpiqen t’u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve
1 - “Është shumë e vërtetë që në shqip ka shumë pak programe edukative për fëmijë. Unë kam dy fëmijë të lindur në Angli, 5 dhe 3 vjeç, dhe asnjëherë nuk kanë qenë në Shqipëri, por gjuhën shqipe e flasin shumë mirë saqë edhe po të dua unë ta çoj te kanalet angleze, fëmija më thotë që dua kanalet shqip. Ne që jemi në emigrim (jo të gjithë), mundohemi me gjithë shpirt që fëmija të flasë shqip, ndërsa në Shqipëri e kanë si mendjemadhësi dhe krenari që fëmija të di të flasë më mirë anglisht sesa shqip.”
2 - “Që ka mungesë programesh shqip për fëmijë në YouTube jam plotësisht dakord, ama sa i përket gjuhëve të huaja, është acarues fakti që prindërit nuk i shqetëson fakti që fëmijët po shkojnë më shumë pas gjuhës së huaj sesa pas gjuhës mëmë [...].”
B. Mungesa e programeve shqip dhe problemet me ato ekzistuese
1 - “Unë jetoj në Angli dhe e kam djalin 4 vjeç. Normalisht ne në shtëpi flasim vetëm shqip sepse duam që ai të flasë shqip, por nuk dua që ai vetëm të flasë. Dua që të di të shprehet bukur në shqip, të di një këngë për fëmijë shqip, të di të tregojë një libër apo një film për fëmijë shqip. Por po e gjej shumë të vështirë. Në YouTube siç edhe përmendet, këngët e kthyera nga anglisht në shqip janë tallava. Djali më thotë: ‘Mami nuk më pëlqen’. Shpresoj të bëhen më shumë programe edukative në shqip në të ardhmen.”
2 - “Unë jetoj jashtë. Kam djalin 10 muajsh dhe jam përpjekur të gjej këngë në YouTube shqip për bebe, por nuk ka asgjë. Jam bërë vetë kompozitore dhe tekstshkruese nga halli. I flas vetëm shqip, sepse dua që ta mësoj si gjuhë, por për t’i kënduar ndonjë këngë ose lexuar diçka nuk bëhet fjalë, cilësia është shumë e dobët.”

3 - “Vajza ime është 3 vjeç dhe flet e këndon anglisht. Nuk pranon të shohë kukulla në shqip. As mua nuk më pëlqejnë në fakt, aq pak sa gjen në YouTube. Versionet shqip janë shumë të shëmtuara dhe aspak tërheqëse për fëmijët.”
4 - “Unë kam bebin 3 muajsh dhe nuk po gjej një libër të hajrit si Goodnight Moon ose Goodnight Gorilla. I ble anglisht dhe ja lexoj në shqip. Nuk i vendos dot këngë në YouTube se janë të gjitha anglisht. Ia këndoj vetë.”
5 - “Djali im 2 vjeç sapo i vendos kukulla shqip fillon e qan e do të ndërrojë kanal. Përveç këngëve me fjalë apo theks nga gegërishtja, figurat aty të fusin frikën; me qen e mace më të mëdhenj se njeriu, Kokëkashta e famshme në një version horror dhe kukullat bebe s’e di ku i kanë gjetur aq të frikshme. Të gjitha këto i gjen në këngët shqip për fëmijë në Youtube.”
6- “Si mund të bëjnë programe për fëmijë? Kush do transmetojë telenovela turke non stop pastaj? Kam frikë të lë djalin 4 vjeç në dhomën e ndenjes vetëm pasi vetëm telenovela turke me intriga dhe thika pas shpine ka, ose me luftra e me sulltanë.”
Shembull ilustrues mbi përshtatjen në shqip:
Kënga “Johny Johny Yes Papa”
Versioni “Ledi Ledi Po Baba”
Programet për fëmijë janë vërtet pak në televizionet shqiptare dhe përgjithësisht vihen re përpjekje vetëm në platformat me pagesë, si Tring për shembull i cili ka sjellë vazhdimisht programe, por në këtë rast nuk mjafton, pasi një programacion i tillë duhet të jetë i pranishëm më gjerësisht. Rastet sporadike kur fëmijëve u kushtohet rëndësi në tv janë programet argëtuese (si “Në kurthin e Piter Pan"), por të tilla programe janë “me fëmijë”, jo “për fëmijë”.
Me të vërtetë që lidhja fëmijë – teknologji (tv e YouTube) nuk është fort e këshilluar, por shumë ekspertë të zhvillimit të fëmijëve theksojnë se raporti me televizionin apo platformat e tjera është i rëndësishëm, gjithmonë nëse tregohet kujdes. Kështu, në një raport të RaiseSmartKid.com, mbi përfitimet e televizionit thuhet se:
- disa shfaqje televizive mund të edukojnë, informojnë dhe frymëzojnë duke qenë më efektive se librat në disa raste;
- fëmijët që shohin programe informuese janë më të prirur për të patur rezultate të larta në mësime;
- programet edukative dhe argëtuese i ekspozojnë fëmijët ndaj një morie fjalësh duke përmirësuar fjalorin e tyre;
- programe të tilla i ekspozojnë fëmijët ndaj larmishmërisë kulturore dhe ndikojnë te botëkuptimi i tyre;
- shkencëtarë të Universiteti i Sienës zbuluan se fëmijët përjetojnë një efekt qetësues kur shohin filma vizatimorë etj.
Me rëndësi të veçantë është mënyra se si ndërtohen programet dhe sipas MediaSmart, një program duhet t'u përgjigjet pyetjeve kryesore si:
1. A është i përshtatshëm për fëmijë?
2. A e përfshin fëmijën?
3. A reflekton botën e sotme?
4. A e inkurajon fëmijën që të bëjë pyetje?
5. A përfshin diversitetin?
6. A ndikon emocionalisht te fëmija dhe nëse po, në ç’formë?
Fakti që pjesa dërrmuese e programeve ose shfaqjeve për fëmijë janë të prodhuara në fillim të viteve 2000 ose diçka më tepër, është tregues se këto programe janë të papërshtatshme për fëmijët e sotëm jo vetëm në elementë të jashtëm si audio apo ngjyra, por sigurisht edhe në përmbajtje.