Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka folur në lidhje me postin e saj si Ministre në një intervistë me Ilva Taren për Euronews, e cila e pyet:
“Çfarë ndjesie ju jep të jeni në qendër të punës, por edhe diskutimeve për t’u larguar nga qeveria?”
Besa Shahini thotë se ka njoftuar edhe kryeministrin Rama dhe se nuk do të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri përtej këtij mandati.
“Rrjedhimisht nuk do të përfshihem në zgjedhje. Ishte një vendim i vështirë sepse realisht më pëlqen edhe angazhimi politik dhe e adhuroj Shqipërinë.”
Ministrja e Arsimit e ka marrë këtë vendim për të patur një qëndrueshmëri më të madhe në jetën e saj:
“Jeta ime është pakëz e paqëndrueshme në Shqipëri, duke marrë parasysh se e gjithë familja ime jeton në Kosovë dhe ne, përkundër gjithë afrimit që kemi bërë mes Kosovës dhe Shqipërisë, prap jemi dy shtete të ndara.”
Më pas, ajo vazhdon:
“Në këto momente kur ka probleme, si këto me të cilat jemi ballafaquar në Shqipëri, e sheh se nëse jeton me familjen larg, në dy vende të ndryshme, është pak e vështirë që të mirëmbahet gjithë kjo pjesa tjetër e punës, që është një ngarkesë shumë e madhe.”