Një shkencëtare nga Kina, ka botuar një kërkim që pretendon se koronavirusi erdhi nga një laborator ushtarak në Kinë dhe jo nga një treg në Wuhan.
Dr. Li Meng-Yan, një mjeke e specializuar në virologji në Shkollën e Shëndetit Publik të Hong Kongut, publikoi studimin në një faqe interneti të hapur me emër Zenote. Punimi akademik tregon se si SARS-CoV-2 (Covid-19) mund të jetë “krijuar në një mjedis laboratorik për gjashtë muaj.”
Punimi titullohet “Karakteristikat e pazakonta të gjenomit SARS-CoV-2, që sugjerojnë modifikim të sofistikuar në laborator dhe jo një “evolucion natyror”.
Mjekja shkruan:
“Teoria e origjinës natyrore, megjithëse është pranuar gjerësisht, nuk ka mbështetje thelbësore.”
Ajo vazhdon:
“Teoria alternative që virusi mund të ketë ardhur nga një laborator kërkimor është, sidoqoftë, censuruar rreptësisht në revista shkencore të vlerësuara nga kolegët.”
Sipas saj, Covid-19 tregon karakteristika biologjike që "nuk janë në përputhje me një virus zoonotik që ndodh natyrshëm."
Gjatë një interviste, ditën e premte në televizionin britanik Loose Women, mjekja tha se “virusi vjen nga një laborator dhe kontrollohet nga qeveria e Kinës”. Ajo pretendon se është një nga shkencëtaret e para në botë që studioi koronavirusin.
Shkencëtarë të tjerë kanë kundërshtuar pretendimin e Dr Yan, duke përfshirë një raport nga Live Science në Mars, i cili deklaroi përfundimisht:
"SARS-CoV-2 nuk është një konstrukt laboratorik ose një virus i manipuluar me qëllim".
Në përgjigje të pretendimeve të saj, Komisioni Kombëtar Shëndetësor Kinez tha në një deklaratë:
"Fakti është se nuk ka asnjë vonesë ose fshehje nga qeveria kineze. Sapo rastet u identifikuan në qytetin Wuhan, Kina veproi menjëherë për të kryer hetime dhe për të ndaluar përhapjen e sëmundjes."
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë shumë herë se "nuk ka asnjë provë që koronavirusi i ri është i krijuar në një laborator."
Burimi: Express