Facebook Inc, po paditet përsëri për spiunim të pretenduar të përdoruesve të saj të Instagram, këtë herë, përmes përdorimit të paautorizuar të kamerave të tyre të telefonit celular.
Procesi gyqësor bën fjalë për aludimin se aplikacioni për shpërndarjen e fotove/videove dukej se po përdorte kamerat e iPhone edhe kur ato nuk po përdoren në mënyrë aktive.
Facebook mohoi raportet dhe fajësoi një defekt, të cilin tha se po e korrigjonte, për shkaktimin e atyre që kompania i përshkroi si “njoftime të rreme” se Instagram po përdorte kamerat e iPhone.
Në ankesën/denoncimin e depozituar të enjten në gjykatën federale në San Francisco, përdoruesja e Instagram, nga New Jersey, Brittany Conditi pretendon se përdorimi i kamerës nga aplikacioni është i qëllimshëm dhe është bërë me qëllim të mbledhjes së “të dhënave fitimprurëse dhe të vlefshme për përdoruesit e saj, te të cilat përndryshe, kompania nuk do të kishte akses (qasje).”
Duke “marrë të dhëna personale jashtëzakonisht shumë private dhe intime për përdoruesit e tyre, përfshirë edhe privatësinë e shtëpive të tyre”, Instagram dhe Facebook janë në gjendje të mbledhin “të dhëna të vlefshme dhe të bëjnë hulumtimet e duhura të tregut”, sipas shkrimit në denoncim.
Facebook nuk ka pranuar të komentojë mbi ngjarjen.
Në një padi të ngritur muajin e kaluar, Facebook u akuzua për përdorimin e tekologjisë së njohjes së fytyrës për të korrur në mënyrë të paligjshme të dhënat biometrike të më shumë se 100 milionë përdoruesve të saj në Instagram.
Kompania e mohoi pretendimin dhe tha se Instagram nuk përdor teknologji të njohjes së fytyrës (face recognition technology).
Burimi: Bloomberg Business