Shendet i Pergjithshem

Ngjashmëritë dhe ndryshimet mes Covid-19 dhe gripit

Shkruar nga Anabel

22 Shtator 2020

Ngjashmëritë dhe ndryshimet mes Covid-19 dhe gripit

Viruset e gripit dhe Covid-19 kanë ngjashmëri, domethënë shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes, e cila paraqitet si një gamë e gjerë sëmundjes dhe simptomash. Pavarësisht ngjashmërisë, viruset e grupit dhe koronavirusi që shkakton Covid-19 kanë disa karakteristika që i dallojnë.

Shenjat dhe simptomat

Ngjashmëria: Të dy viruset shkaktojnë simptoma nga më të lehtat, shpesh herë pa shenja fare, e deri te sëmundjet e rënda. Simptomat më të zakonshme janë:
- ethe
- kollitje
- vështirësi në frymëmarrje
- lodhje
- dhimbje e fytit
- rrjedhje nga hundët ose hundë të bllokuara
- dhimbje muskujsh
- dhimbje trupi
- dhimbje koke
- disa njerëz mund të kenë të vjella dhe diarre, por këto shenja janë më të shpeshta te fëmijët.

Ndryshimi: Njerëzit me koronavirus mund të përjetojnë humbje të shijes ose nuhatjes. Jo të gjithë njerëzit me grip kanë temperaturë dhe/ose ethe, ndërsa kjo simptomë është më e shpeshtë te të infektuarit me Covid-19.

Tabelë orientuese:

Ngjashmëritë dhe ndryshimet mes Covid-19 dhe gripit

Kur shfaqen simptomat

Ngjashmëria: Si për Covid-19 ashtu edhe për gripin, mund të kalojë 1 ose më shumë ditë që të shfaqen simptomat, pasi personi është infektuar.

Ndryshimi: Zakonisht, një i infektuar me grip do të shfaqë simptoma nga 1 deri në 4 ditë pas infektimit. Në mënyrë tipike, një i infektuar me Covid-19 do të zhvillojë simptoma 5 ditë pasi është infektuar, por ato mund të shfaqen nga 2 deri në 14 ditë pas infektimit.

Si përhapet

Ngjashmëria: Si për Covid-19 ashtu edhe për gripit, infeksioni përhapet nga një person në tjetrin përmes kontaktit të ngushtë. Të dy përhapen zakonisht përmes spërklave të frymëmarrjes kur kollitemi, tështijmë ose flasim. Po kështu, infektimi mund të ndodhë edhe nga kontakti fizik si shtrëngimi i duarve.

Ndryshimi: Covid-19 përhapet më shpejtë se gripi, për shkak se njerëzit nuk kanë fituar ende imunitet.

Njerëzit me rrezik më të lartë

Ngjashmëria: Më të rrezikuarit, për të dy sëmundjet janë të moshuarit, njerëzit me probleme shëndetësore, gratë shtatzënë.

Ndryshimi: Fëmijët janë më të rrezikuar nga gripi, në krahasim me Covid-19.

Komplikimet

Ngjashmëria: Të dyja sëmundjet infektive mund të rezultojnë në komplikime si:
- pneumoni
- probleme të rënda me frymëmarrjen
- sulme në zemër ose tru
- mosfunksionim të rregullt të organeve, si veshkat
- përkeqësim i kushteve mjekësore
- inflamacion i indeve të zemrës, trurit dhe muskujve etj.

Ndryshimi: Shumica e njerëzve që infektohen me grip shërohen brenda disa ditëve. Covid-19 mund të shkaktojë komplikime shtesë si mpiksje e gjakut në arteriet e mushkërive, zemrës, këmbëve dhe trurit.

Burimet: Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve