1. Në 9-vjeçare, mësuesi më dha shtypshkronjën e tij që unë të shkruaja poezi.
2. Më shkruante gjithmonë nëpër ese “Ndiqe ëndrrën”. Sot unë kam botuar dy libra.
3. Isha në vit të dytë në universitet dhe isha shtatzënë. Pedagogia më dhuroi një kostum për bebin.
4. Mësuesja e fillores më uron ditëlindjen çdo vit. Jam 24 vjeç.
5. Zyshë Bahria kujdesej çdo mëngjes që të pija qumështin, sepse kisha probleme me shëndetin.
6. Nuk më mori lekët e kursit, sepse e dinte që i kisha prindërit të papunë.
7. Po ikja në shtëpi dhe isha lagur nga shiu. Më pa, më ndaloi dhe më dha xhupin e saj.
8. Më dha lekët për në ekskursion, pasi thashë në klasë që nuk mundem të vij.
9. Merrte ushqim nga shtëpia për një nxënës që nuk kishte para të blinte ushqim.
10. Më dha lekët për të paguar fustanin e maturës, sepse e dinte që nuk kisha mundësi ekonomike.
11. Në vitin 1997, nisi lufta mes bandave në lagje dhe më mori në shtëpinë e saj mes krismave.
12. Na ka shpërndarë kartolina për fundvit, të punuara nga ajo vetë.
13. Kur kishim ditëlindjen, na nxirrte para klasës në mënyrë që e gjithë klasa të na këndonte këngën.
14. Më ka thënë “nëse do të kisha djalë, do të doja të ishte si ti”.
15. Në klasë të parë, pata një aksident dhe m’u desh të qëndroja tre muaj në shtëpi. Kur shkova në shkollë, shokët e mi i kishin mbaruar shkronjat. Mësuesja më ngriti në dërrasë dhe më dha të shkruaja një fjali të thjeshtë dhe më thoshte me zë të ulët shkronjat që nuk gjeja dot. Kur mbarova, më dha një arush, sepse e kishte si çmim për të gjithë nxënësit që shkruanin fjalitë pa gabime. Sot jam e diplomuar dhe arushin e vendos gjithmonë pranë diplomave, si trofeun tim të parë.
16. Mësuesi në gjimnaz na tha që do të na ofronte falas një udhëtim me klasën. E bëri që 3 nxënës që nuk kishin mundësi të paguanin, të mos ndiheshin keq. Normalisht që ne të tjerët paguam, ndërsa për tre nxënësit pagoi ai edhe pse kishte ekonomi mesatare. Por ata nuk e morën vesh kurrë.
17. Në klasën e tetë, u largova në Itali dhe mësuesja ime e muzikës, kur kuptoi se mund të luaja shumë mirë në tastierë, më pyeti si ishte e mundur. I tregova që kisha studiuar 8 vite piano, por nuk munda ta vazhdoja më sepse u largova nga Shqipëria dhe isha regjistruar në një shkollë jo për muzikë. Më pyeti nëse kisha dëshirë ta vazhdoja. I thashë po. Më shpjegoi që kishte mbaruar për piano dhe çdo ditë, për 1 vit rresht, më jepte kurse falas pas mësimit. Më siguroi edhe një vend ku të mund të studioja pasditeve. Pas një viti, më gjithë mundimin e saj, më regjistroi në konkurs për konservator. Pagoi për mua çdo taksë dhe më shoqëroi në konkurs. Pasi fitova, më regjistroi që të ndiqja studimet me një maestro të moshuar që kish qenë pedagogu i saj. Sa herë e kujtoj, mendoj që jam njeriu më me fat në botë që Zoti më solli një njeri të tillë dhe e dua shumë.
18. Mami im, çdo ditë pas mësimit, merrte 2 vëllezër të vegjël në shtëpi dhe i mësonte, pasi nuk dinin shqip. Ata kishin lindur jashtë dhe për arsye dokumentash i kishin kthyer. Ata edhe sot e thërrasin “mësuese”.
19. Bëri gjithë klasën të duartrokasë për mua për një ese. Ishte shumë motivuese. Isha 16 vjeç dhe e turbulluar. Që pas atij momenti, nuk i lashë mëkurrë orët e mësimit.
20. Mami im, kur ishte mësuese, për një vit rresht merrte në shtëpi pas mësimit një nxënësin e vet, të cilit i vdiq mami dhe i ati nuk kishte ku ta linte. Ai djali sot është 32 vjeç dhe i sjell lule çdo 7 Mars. Vjet e ftoi edhe në dasmë.
- Mbërritur te @anabel_media në Instagram.