Shtatzania

Chrissy Teigen postoi edhe pse e dinte ç’do të shkruanin njerëzit dhe kjo meriton respekt

Shkruar nga Anabel

2 Tetor 2020

Chrissy Teigen postoi edhe pse e dinte ç’do të shkruanin

Shënim: Artikulli në vijim, është shkruar nga Isabelle Oderberg, gazetare dhe profesioniste e komunikimit, e cila për momentin po shkruan një libër rreth abortit, të titulluar “Hard To Bear”, i cili bazohet edhe te rrugëtimi i saj për t’u bërë nënë, gjatë të cilit dështoi shtatë fëmijë. Sot, Oderberg është nënë e dy fëmijëve.

Kur njoftoi në Twitter dhe Instagram se humbi fëmijën, Chrissy Teigen e dinte saktësisht se çfarë do të ndodhte më pas.

Sigurisht që priste dhembshuri dhe ndjeshmëri për humbjen dhe dhimbjen e saj, por mes këtyre mesazheve mbështetëse dhe plot dashuri, pati edhe pyetje nga komentuesit e pandjeshëm të internetit.

Pse nuk shkuat menjëherë në urgjencë? A ishte e nevojshme gjithë kjo skenë për vëmendje? Si mund të jesh kaq e mërzitur nëse ishe në gjendje të pozoje për një foto?

Përpara se të humbte fëmijën, ajo postoi në Instagram një foto ku shfaqej në vaskë dhe vajza e saj kujdesej për të, me mbishkrim: “Çdo ditë ajo më përgatit një banjë me ujë të ngrohtë (jo të nxehtë, qetësohuni) dhe refuzon të më lejojë që t’i laj vetë flokët. John, si mund të jemi kaq me fat me Lulu-n?”.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by chrissy teigen (@chrissyteigen) on

“Jo i nxehtë, qetësohuni” i referohet temperaturës së ujit, duke marrë parasysh që udhëzimet mjekësore thonë se gratë shtatzënë nuk duhet të lahen me ujë të nxehtë, sepse mendohet se mund të rezultojë në efekte si rënia e presionit të gjakut, vështirësi me oksigjenin që merr foshnja, abort ose defekte gjatë lindjes.

Në atë moment, Chrissy ishte e vetëdijshme se njerëzit do ta kritikonin duke i treguar mënyrën e saktë se si duhet të veprojnë gratë shtatzënë. Kjo është një ndjenjë e zakonshme që e kanë përjetuar shumë gra shtatzënë.

Kështu që kur ajo njoftoi se kishte humbur fëmijën, dyshoj se u befasua kur filluan pyetjet. Përpjekjet për të gjetur një shkak. Dhe tendenca për të gjetur fajtorin.

Të flasësh publikisht është e guximshme. Të mos flasësh publikisht është e guximshme. T’i mbijetosh një aborti është në vetvete e guximshme.

Por ne duhet të kemi respekt për Chrissy-n, për faktin që vendosi ta ndante dhimbjen e saj, ndonëse e dinte se çfarë do të ndodhte më tej.

Disa nga komentet dhe pyetjet, në dukje më pak abuzive, janë një përfaqësim i mirë i gjithë asaj me të cilën përballen gratë që humbin fëmijën.

Janë komente tinëzare të cilat maskohen si shqetësim. “Mos ke pirë shumë kafe?”, “Mos ke ngritur pesha?”, “A ke ngrënë sushi?”etj. Ose “Mos u shqetëso, nuk është faji yt”. Në cilin moment thashë që është faji im?

Një fakt i trishtë për abortin spontan është se në shumicën e rasteve është thjesht “fat i keq”. Nuk ka asnjë fajtor. Ajo që dimë gjithashtu është se është tepër e vështirë për një grua të "shkaktojë" një abort spontan. Sidoqoftë, njerëzit kërkojnë fajin, i cili gjithmonë duket se bie mbi personin që mban foshnjën. Dhe duke vepruar kështu, ne u shkaktojmë grave ndjenjën e vetëfajësimit. Sigurisht që nuk kishte asnjë koment që pyeste burrin e Chrissy Teigen, John Legend, nëse e kishte testuar cilësinë e spermës.

Një arsye pse njerëzit heshtin për abortin është mungesa e informacionit të duhur rreth humbjes së shtatzënive dhe shkaqeve. Jemi të paaftë të pranojmë se çfarë po ndodh, të dimë arsyen ose të kuptojmë se thjesht nuk është faji i askujt.

Pa njohuri dhe mirëkuptim, më shumë dëm shkaktojmë. Një nga arsyet pse shumë gra përjetojnë depresion pas abortit ose trauma të tjera, është se shumica e tyre vendosin të heshtin.