Është shumë e zakonshme që gratë të ndihen të shqetësuara për shtatzëninë dhe lindjen. Shqetësimet për dhimbjen e kontraktimeve, ndërhyrjet dhe pasigurinë e procesit nuk janë të pazakonta. Por për disa gra, frika nga shtatzënia dhe lindja mund të jetë aq e fortë saqë ndikon edhe në jetën e përditshme.
Kjo frikë e fortë, tokofobia, fjalë për fjalë do të thotë fobi e lindjes. Për disa gra, gjithashtu përfshin mospëlqim ose neveri nga shtatzënia.
Tokofobia mund të ndahet në dy lloje - parësore dhe dytësore. Tokofobia primare ndodh te gratë që nuk kanë lindur më parë. Për këto gra, frika nga lindja ka tendencë të vijë nga përvojat traumatike në të kaluarën e tyre - përfshirë këtu edhe abuzimin seksual. Mund të lidhet gjithashtu me të qenurit prezent në një lindje të vështirë ose me të dëgjuarit e historive të cilat e portretizojnë lindjen si të tmerrshme ose të rrezikshme.
Gratë që vuajnë nga tokofobia dytësore kanë tendencë të kenë pasur një përvojë të mëparshme traumatike në lindje.
Është e vështirë të dihet se sa e zakonshme është tokofobia. Hulumtimet sugjerojnë që mes 2.5% dhe 14% të grave preken nga tokofobia. Por disa studiues besojnë se kjo shifër mund të jetë e lartë, deri në 22%. Pra, ndërsa disa gra mund të kenë tokofobi relativisht të lehtë, për të tjerat, gjendja është shumë më e rëndë.
Gratë me tokofobi ndryshojnë. Është e vështirë të parashikohet se kush mund të preket, megjithëse është e qartë se gratë me tokofobi gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë probleme me ankthin dhe depresionin si edhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
Hulumtimet sugjerojnë që disa gra me këtë gjendje zgjedhin të shmangin shtatzëninë krejtësisht - ose mund të konsiderojnë ndërprerjen e shtatzëninë nëse e gjejnë veten në këtë pozitë. Kur janë shtatzënë, gratë me tokofobi mund të kërkojnë një operacion cezarian për të shmangur procesin e lindjes natyrale.
Ankthi, pagjumësia, insomnia, çrregullimet e të ngrënit dhe depresioni para lindjes ose rritja e rrezikut të depresionit pas lindjes etj. janë identifikuar si pasoja të tokofobisë. Disa gra me tokofobi mund të kenë lidhje jo të fortë me foshnjën.
Për fat të keq, trajtimi klinik i takofobisë nuk është shumë i përhapur. Megjithatë është gjendje që mund të përmirësohet dhe tejkalohet. Një nga mënyrat është bisedimi me gra të tjera që kanë kaluar të njëjtën përvojë dhe konsultat me mjekët obstetër.
Shumë vajza dhe gra mendojnë se ndjesitë e tyre janë të çuditshme, por vlen të theksohet se shumë të tjera përjetojnë të njëjtën gjë si ato, ndaj të folurit me të tjerët është shumë e dobishme.
Burimet: The Conversation, Healthline