Një studim i rëndësishëm ka zbuluar të dhëna tronditëse të përshkallëzimit të dhunës në internet kundër vajzave dhe grave në më shumë se 20 vende, ku të anketuarit thanë se janë të ekspozuar ndaj mesazheve dhe fotove pornografike, përndjekjeve online dhe formave të tjera të abuzimit në internet.
Këto sulme janë më të zakonshme në Facebook, pasuar nga Instagram dhe WhatsApp, sipas sondazhit të Plan International. Plan International është një organizatë e pavarur zhvillimore dhe humanitare e cila punon në 71 vende të botës për të avancuar të drejtat e fëmijëve dhe barazinë për vajzat.
Plan International anketoi 14,071 adoleshente dhe gra të reja të moshës 15-25 në 22 vende, duke përfshirë Australinë, Kanadanë, Brazilin, Beninin, Japoninë, Zambinë dhe SHBA midis 1 prillit dhe 5 majit.
Në të gjitha vajzat dhe gratë e anketuara, lloji më i zakonshëm i dëmtimit në internet ishte gjuha abuzive dhe fyese (raportuar nga 59% e të intervistuarve), e ndjekur nga turpërimi i qëllimshëm (41%) si dhe diskriminimi për format trupore dhe kërcënime të dhunës seksuale (të dy nga 39%).
Globalisht, sulmet janë më të zakonshme në Facebook, ku 39% kanë pësuar ngacmime, pasuar nga Instagram (23%), WhatsApp (14%), Snapchat (10%), Twitter (9%) dhe TikTok (6%).
Kur u pyetën se kush po ushtronte dhunë, 40% thanë se kishin përjetuar ngacmime nga njerëzit në shkollë ose në punë, 29% thanë një mik dhe 16% përmendën ish-partnerët. Ndërkohë, 38% thanë se ishin ngacmuar nga përdoruesit anonimë të rrjeteve sociale.
Për vajzat që identifikohen si LGBTQ+ në internet, gati gjysma thanë se kishin përjetuar ngacmime për shkak të identitetit të tyre seksual ose gjinor dhe 60% e vajzave që identifikoheshin si një pakicë etnike thanë se ishin shënjestruar posaçërisht për shkak të kësaj.
Shefja ekzekutive e Plan International, Susanne Legena, tha se teksa platformat në internet u kanë dhënë zë miliona të rinjve, nga ana tjetër "aty ku është shfaqur më e keqja e njerëzimit". “Si rezultat, vajzat po raportojnë probleme afatgjata të shëndetit mendor dhe në shumë raste, nuk vendosin të shprehin vetveten dhe mendimet e tyre nga frika e ndëshkimit dhe ndonjëherë largohen plotësisht nga këto platforma."
Caitlin McGrane, udhëheqëse e rritjes së sigurisë në internet për gratë në projektin Gender Equity Victoria, tha se studimi është tepër i rëndësishëm sepse sjell në qendër të vëmendjes sigurinë në internet dhe abuzimin me rrjetet sociale. “Rrjetet sociale nuk janë krijuar kurrë si një hapësirë e sigurt për gratë dhe vajzat,” tha ajo. “Për shembull, themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, e krijoi platformën në bazë të një website që ai krijoi, të quajtur FaceMash, ku lejonte studentët të ngarkonin fotografi të vajzave në universitet dhe të renditnin bukurinë e tyre.”
Burimi: Plan International, Guardian