Qeveria Spanjolle ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të mbajtur Madridin në bllokim të pjesshëm, ndërsa vende të tjera në Europë po përpiqen të merren me rritjen e vazhdueshme të rasteve të reja të koronavirusit.
Masat e para erdhën pasi Italia regjistroi më shumë se 5,000 raste të reja ditore me koronavirus për herë të parë në gjashtë muaj, ndërkohë që Gjermania regjistroi më shumë se 4,000 infeksione të reja për të dytën ditë radhazi. Pas një takimi me kryebashkiakët, kancelarja gjermane Angela Merkel, njoftoi se disa zonave do t'u jepej 10 ditë kohë për të përmirësuar situatën ose do të përballeshin me veprime më të ashpra.
Bllokimi i Madridit për një javë ndalon të gjitha lëvizjet jo-thelbësore brenda dhe jashtë zonave të mbyllura, por lejon lëvizjet për arsye mjekësore. Baret dhe restorantet - kapaciteti i të cilave ka qenë i kufizuar në 50% - duhet të mbyllen në orën 23:00. Ministri rajonal i shëndetësisë në Madrid, Enrique Ruiz Escudero, e përshkroi gjendjen e jashtëzakonshme si "një sulm të pajustifikuar ndaj njerëzve të Madridit". Megjithatë, ky rajon përbën një të tretën e të gjitha rasteve të Spanjës.
Pasi agjencia e kontrollit të sëmundjes në Gjermani regjistroi 4,516 raste të reja gjatë 24 orëve të mëparshme, Merkel tha se masat më të rrepta mund të ishin të nevojshme. "Ditët dhe javët e ardhshme do të vendosin se si Gjermania do ta kalojë pandeminë këtë dimër,” tha ajo. Berlini është shfaqur si një nga pikat e nxehta të valës së dytë të pandemisë.
Në Itali, numri i rasteve të reja ditore kapi shifrën 4,458 të enjten dhe 5,372 të premten. Ekspertët këshilluan Ministrinë e Shëndetësisë mbi pandeminë duke paralajmëruar se vendi rrezikon të arrijë 16,000 infeksione të reja në ditë, "si Franca, Spanja dhe Britania e Madhe".
Jugu i Italisë ishte relativisht i padëmtuar nga faza e parë e pandemisë në Itali, por tani Campania po regjistron numrin më të lartë të infeksionit ditor, ndjekur nga Lombardia, Veneto dhe Lazio. "Ky virus tinëzar po mbush spitalet përsëri," tha Walter Ricciardi, president i Institutit Kombëtar Italian të Shëndetit, për SkyTg24. Latina, një provincë në Lazio, u vendos të enjten nën një mini-bllokim 14-ditor pas një rritje prej 155% të rasteve në ditët e fundit. Në Itali është e detyrueshme që njerëzit të mbajnë maska për fytyrën jashtë, ndërsa kryeministri, Giuseppe Conte këshilloi familjet që t’i mbajnë edhe brenda në rast se ndodhen në shoqërinë e një grupi të madh personash.
Në Francë, ku u raportuan më shumë se 18,000 raste të reja të enjten, pothuajse 25% e shtretërve të njësive të kujdesit intensiv janë të zëna nga pacientët e infektuar me Covid - edhe pse shifra rritet në 40% në rajonin e Parisit.
Britania e Madhe regjistroi më shumë se 17,000 raste të reja të koronavirusit të enjten, ndërsa qeveria vendosi kufizive në vendet e konsideruara si pika të nxehta.
Përsa i përket situatës së Covid-19 në vend, Ministria e Shëndetësisë raportoi 169 raste të reja me infeksion (9 tetor). “Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 55 të prekur në Tiranë, 22 të prekur në Korçë, 14 raste në Elbasan, 9 raste në Shkodër dhe Durrës, 8 raste në Fier, 7 raste në Lushnje, 6 raste në Lezhë, Vlorë, Mirëditë, Tropojë, 2 raste në Kavajë, Berat, Mallakastër, Klos, 1 rast në Krujë, Kurbin, Kukës, Has, Mat, Gjirokastër, Divjakë, Malësi e Madhe, Prrenjas, Peqin, Gramsh, Kuçovë, Skrapar,” shkruhet në njoftim.
Burimet: Guardian, Euronews, European Centre for Disease Prevention and Control, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale