“Nëse nuk duam të rimbyllemi” tha kryeministri Rama gjatë një takimi me gazetarët mëngjesin e sotëm, “duhet të zbatojmë rregullat”. Ai u shpreh se duke filluar nga java e ardhshme (15 tetor), maska do të jetë e detyrueshme në rrugë, sheshe, ambiente të tjera të hapura dhe patjetër që në çdo mjedis të mbyllur.
“Maska nuk ka qenë as këtu dhe as në shumë vende e detyrueshme jashtë. Nuk është konsideruar as e domosdoshme dhe siç e dini që është një temë që diskutohet në të gjithë botën. Por, nga java e ardhshme, maska do të jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë dhe restorantit apo barit ku jeni ulur në tavolinë për të konsumuar atë pjesë të kohës aty.”
Më tej foli për masën ndëshkimore:
Maskat do të jenë të detyrueshme në çdo mjedis, në çdo rrugë, në çdo hapësirë publike dhe masa ndëshkimore do të zbatohet te të gjithë te fatura e dritave. Të mos ketë asnjë iluzion, asnjë individ që mund t’i shmanget gjobës. Nuk po bëj një rezyme të vendeve që kanë aplikuar maskën [e detyrueshme] jashtë. Të gjitha vendet e rajonit po shkojnë drejt kësaj mase.”
Kryeministri shtoi se për rregullin e ri do të kujdeset Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.
Shënim: Në një version të mëparshëm, u shkrua gabimisht se "maska do të jetë e detyrueshme që nga dita e hënë". Në fakt rregullorja hyn në fuqi ditën e enjte, 15 tetor.