Shqipëria

Epidemiologu flet për dallimin mes gripit dhe Covid-19: A na dëmton mbajtja e maskës për shumë gjatë

Shkruar nga Anabel

13 Tetor 2020

Epidemiologu flet për dallimin mes gripit dhe Covid-19: A na dëmton

Sezoni i ri vjen bashkë me virozat e stinës, që ndryshe nga çdo vit, kësaj here duket më i vështirë për t'u dalluar nëse është një grip i thjeshtë apo bëhet fjalë për Covid-19. Ndonëse nuk shkaktohen nga të njëjtat viruse, simptomat janë thuajse të ngjashme.

Gjatë një interviste për Abc Neës, epidemiologu Dritan Ulqinaku, pohon se dallimi mes koronavirusit dhe gripit të thjeshtë është vështirë të bëhet dhe se është tamponi ai që e përcakton përfundimisht.

“Është e vështirë të bëhet dallimi. Dallimi përfundimtar është tamponi. Ajo që është karakteristikë për Covid-in është një temperaturë 37-38 gradë celsius, humbje të nuhatjes dhe shijes, dhimbje të fortë koke etj. gripi ka temperatura të larta 39 dhe mbi 39 gradë. Këshilla e parë është që nëse kemi temperaturë, të vetëizolohemi, të komunikojmë me mjekun e familjes dhe të këshillohemi”.

Përsa i përket rikthimit të maskës në mënyrë të detyrueshme në çdo ambient (i hapur a i mbyllur qoftë), epidemiologu tha se kjo do të ndihmojë njerëzit duke penguar infektimin nga njëri-tjetri.

“Thjesht pengojmë spërklat të arrijnë tek personat e tjerë. Një maskë prej copë, qoftë edhe një shall i mirë është më se i  mjaftueshëm. Personat e infektuar nëse kanë maskë transmetimi tek të tjerët është i vështirë”.- vijoi ai duke shtuar se efektet e vendimit të ri mund të vihen re 2 javë pas përdorimit të maskës.

Mbajtja e maskës për një kohë të gjatë, sipas tij nuk shkakton asnjë lloj problemi tek qytetarët.

“Asnjë lloj problemi. Niveli i oksigjenimit në pulmone është i njëjtë, si tek personat që mbajnë, dhe ata që nuk mbajnë maskë. Flasim për një maskë të thjeshtë, jo maska specifike që mbahen në ambiente specifike”.