Shqipëria

Vendosja e detyrueshme e maskës: Flet ministrja Manastirliu

Shkruar nga Anabel

14 Tetor 2020

Vendosja e detyrueshme e maskës: Flet ministrja Manastirliu

Duke nisur nga e enjtja, askush nuk mund të dalë më nga shtëpia pa maska, por sipas ministres së Shëndetësisë, udhëzimet e sakta për përdorimin  e saj do të publikohen sot. 

E ftuar mbrëmjen e djeshme në "Opinion", Ogerta Manastirliu deklaroi se maska është e detyrueshme, por jo në të gjitha rastet, si përshembull gjatë kohës kur jemi duke kryer aktivitet fizik.

"Ajo çfarë sot është një fakt i gjithëpranuar botërisht edhe shkencërisht, në studime shkencore të mbështetura është që: Maska apo barrierat mbrojtëse e reduktojnë përhapjen e koronavirusit kur ato shoqërohen me masën e distancimit social dhe ato të higjienës personale. Maska mjekësore dhe ajo kirurgjikale, janë maska që përdoren nga personeli mjekësor, nga ai që është i sëmurë apo ai që duhet t’i shërbejë një të sëmuri.

Maska që ne flasim sot është barriera mbrojtëse prej tekstili që pengon përhapjen e spërklave dhe shoqërohet me një distancim social. Maska do të mbahet kudo jashtë shtëpisë. Kur je duke bërë aktivitet fizik nuk duhet të mbash maskë, por ti duhet ta kesh maskën gjithmonë me vete. Maska duhet mbajtur me vete dhe duhet përdorur menjëherë në momentin që del nga shtëpia."- u shpreh ministrja.

Ndër të tjera ajo shtoi se nuk është i nevojshëm përdorimi i saj në rast se jeni brenda një makine me familjarët tuaj. Pavarësisht se një vendim i tillë ka shkaktuar polemika dhe reagime nga më të ndryshme, edhe mjekët janë të mendimit se përdorimi i maskës është masa krysore për reduktimin e Covid-19.

Kreu i urgjencës, Skënder Brataj, i ftuar në "Real Story" se "maska do të vihet dhe pikë", pasi në të kundërt do të lindë nevoja për t'ju kthyer karantinës.