Të njëjtat masa paraprake të vendosura për të shmangur Covid-19 do të ndihmojnë gjithashtu në mbrojtjen nga ftohja dhe gripi. Teksa autoritetet shëndetësore përgatiten për një sezon me ftohje dhe grip i cili përkon me Covid-19, ekspertët po inkurajojnë publikun që të vazhdojë të praktikojë higjienën e mirë të duarve, distancimin fizik dhe mbajtjen e maskave për të parandaluar jo vetëm Covid-19, por edhe ftohjet dhe gripin.
"Ftohja, gripi dhe Covid-19 janë të gjithë viruse të frymëmarrjes. Ekzistojnë nuanca midis tyre, por në thelb ata transmetohen të gjithë në të njëjtën mënyrë ”, tha Dr. William Schaffner, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Vanderbilt në Tennessee.
Transmetimi i sëmundjeve të frymëmarrjes ndahet në dy kategori: transmetimi përmes spërklave dhe transmetimi përmes ajrit. Kur bëhet fjalë për spërklat e frymëmarrjes, madhësia e tyre ka rëndësi.
Ftohja e zakonshme dhe gripi besohet se transmetohen përmes pikave më të mëdha. Megjithëse ka ende shumë për të mësuar në lidhje me Covid-19, besohet se përhapet në të njëjtën mënyrë, ndonëse ekspertët kanë bërë thirrje se përhapet edhe përmes ajrit. "Në rastin e Covid-19, ndoshta të paktën dy të tretat e transmetimit bëhet nga rruga e frymëmarrjes përmes spërklave,” tha Dr. Dean Blumberg, shefi i sëmundjeve infektive pediatrike në Universitetin e Kalifornisë Davis.
Pse maskat janë të rëndësishme? Ekspertët thonë se transmetimi i spërklave është arsyeja pse veshja e maskës është kaq e rëndësishme. Maskat veprojnë si një pengesë që ndalojnë pikat më të mëdha të transmetohen tek të tjerët pasi nxirren, duke minimizuar rrezikun e përhapjes.
“Mendoni për kirurgët,” shtoi Blumberg. “Arsyeja pse ata mbajnë maska të fytyrës është që mikrobet në gojën dhe hundën e tyre të mos bien në plagën kirurgjikale. Pra, nëse të gjithë mbajnë maska, ata mbrojnë vetveten, por më shumë po mbrojnë të gjithë tjerët përreth tyre dhe nëse të gjithë do ta bënim këtë, atëherë aftësia e këtij virusi për t'u transmetuar, nuk do të binte në zero, por do të kufizohej.”
Ekspertët shpresojnë se mbajtja e maskave dhe masat e tjera parandaluese për Covid-19 do të ndihmojnë gjithashtu në uljen e numrit të rasteve të gripit gjatë dimrit.
Shtojmë se në fillim të shtatorit, qarkulloi një artikull i ekspertes së sëmundjeve infektive të Universitetit të Kalifornisë, Monica Gandhi, në The Conversation, ku shpjegonte se maskat e fytyrës mund të bllokojnë pjesën më të madhe të virusit duke ulur ngarkesën virale, gjë që do t’ju shpëtojë nga një infeksion i rëndë i Covid-19. Gandhi theksonte se maska do t'ju mbrojë edhe në rast se infektoheni teksa e mbani atë.
Teksa virusi hyn në trupin e njeriut, sistemi imunitar alarmohet se një patogjen ka depërtuar dhe fillon të sigurojë mbrojtje. Sa më e ulët të jetë ngarkesa fillestare virale, e quajtur inokulum viral ose dozë, aq më të larta janë shanset e sistemit imunitar për ta luftuar. Sa më e madhe të jetë doza e infeksionit, aq më e vështirë është për sistemin imunitar që të përballojë infeksionin.
- Ngjashmëritë dhe ndryshimet mes Covid-19 dhe gripit
- Koronavirusi mund të mbijetojë në lëkurë shumë më gjatë sesa virusi i gripit
- Si maska ju mbron nga koronavirusi edhe nëse infektoheni teksa e mbani atë
- Nëse nuk i nuhasni këto 2 gjëra, mund të keni Covid
- Superkompjuteri japonez tregon si lagështia ndikon në (mos)përhapjen e virusit
Burimet: Healthline, WebMd, BGR