Grupi i gjakut nuk ndikon shumë në jetën tonë të përditshme. Në fakt, shumë njerëz as nuk e dinë nëse i përkasin grupit A, B, AB apo 0. Por ky detaj, në dukje i parëndësishëm, mund të jetë një faktor i rëndësishëm përsa i përket ngjarjes më të përfolur të vitit: pandemia e koronavirusit.
Një studim i ri në Blood Advances mbështet atë që studiuesit kanë vënë re prej kohësh: Njerëzit me grup gjaku A kanë një rrezik më të lartë për Covid-19, ndërsa njerëzit me grup gjaku 0 duket se janë më të mbrojtur prej tij, sipas një sërë studimesh në rritje.
Studiuesit në Kinë qenë të parët që hodhën këtë ide në mars, gjetjet e të cilëve bënë jehonë një muaj më vonë. Edhe kompania e testimit të ADN-së 23andMe vëzhgoi klientët dhe zbuloi se midis 750,000 njerëzve (deri tani grupi më i madh i njerëzve të marrë në studim) që ishin diagnostikuar dhe shtruar në spital për Covid-19, ata me grup gjaku 0 ishin më të mbrojtur.
Pastaj, një studim i botuar në New England Journal of Medicine konfirmoi këtë qasje përmes një studimi të vlerësuar nga kolegët: Njerëzit me grup gjaku A kishin 45% më shumë gjasa të infektoheshin me Covid-19 sesa të tjerët, ndërsa njerëzit me grupin 0 kishin më pak të ngjarë të infektoheshin.
“Nuk mendoj se të kesh grupin A ose B është problem. Thjesht ata me grupin 0 janë më të mbrojtur,” thotë Mark Udden, profesor i hematologjisë dhe onlogjisë në Baylor College of Medicine në Houston.
A kanë më shumë të ngjarë që njerëzit me grup gjaku A të ndërrojnë jetë nga Covid-19?
Njerëzit me grup gjaku A, duket se kanë më shumë të ngjarë që të infektohen me Covid-19, por kjo nuk do të thotë se tek ata janë më të larta mundësitë e vdekjes. Një hulumtim i Columbia University zbuloi se nuk ka ndonjë lidhje mes grupit të gjakut dhe vdekjeve.
Çfarë ka ndryshe grupi i gjakut 0?
Ka disa teori. “Ideja më themelore është që grupi i gjakut mund të ndikojë në aftësinë e një personi për të luftuar virusin,” thotë David Aronoff, drejtori i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt në Nashville. Mund të ndikojë në fuqinë e sistemit imunitar ose përgjigjen inflamatore ndaj infeksionit.
Një doktor tjetër tha për gazetën NEJM: “Nëse keni grupin 0, natyrshëm keni antitrupa kundër grupit A dhe B. Këto antitrupa të tipit A mund t’ia vështirësojnë SARS-CoV-2 që të lidhet me receptorin e tij në gjakun e grupit 0 dhe të shumohet në organizëm.” Po kështu flitet për një element mbrojtës të mundshëm në gjakun grupit 0.
Pra, nëse keni grup gjaku 0, jeni të mbrojtur?
Jo. Të gjitha studimet e deritanishme kanë marrë në shqyrtim vetëm rastet simptomatike, gjë që do të thotë se është e paqartë se çfarë mund të ndodhë me organizmin e personave asimptomatikë.
A është grupi i gjakut faktori kryesor i rrezikut ndaj Covid-19?
Jo. Grupi i gjakut është një faktor, por jo i vetmi. Madje konsiderohet një faktor jo fort i rëndësishëm.
Përfundime
Njerëzit me grup gjaku 0 janë pak më të mbrojtur nga koronavirusi, ndërsa ata me grupin A më të rrezikur. Por, mesa dihet, të gjithë janë të rrezikuar të marrin virusin, në rast se nuk respektojnë masat mbrotjëse. Po kështu, nuk ka rëndësi grupi i gjakut, një asimptomatik ka potencialin të infektojë të tjerët.
Burimet: Science Alert, Men’s Health, Marie Claire, MIT Technology Review, New York Times