Në një intervistë për David Letterman për programin e tij në Netflix, “My Next Guest Needs No Introduction”, Kim Kardashian foli edhe për të vërtetën e Caitlyn Jenner, dikur njerku i saj. Kim u shpreh (via E! Online) se për herë të parë e pa Caitlyn me veshje për gra kur ishte 26 vjeç. Kris, e ëma e Kim-it, ishte jashtë qytetit dhe Kim, e cila po jetonte me Kris dhe Caitlyn asokohe, hyri në garazh dhe gjeti njerkun të veshur si grua.

Kim kaloi pranë Caitlyn, paketoi disa gjëra dhe shkoi në shtëpinë e Kourtney-t. Së bashku, motrat Kardashian iu drejtuan internetit për të gjetur përgjigje. Në atë moment, gjetën vetëm episodin e Oprah Winfrey për një grua transgjinore.
Kim dhe Kourtney nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte. Caitlyn telefonoi Kim-in dhe i tha: “Kurdo që të jesh gati, do të doja të ulesha me ty dhe të flisnim. Por, ndërkohë, mos i trego askujt. Mamaja jote nuk e ka idenë dhe do të më vrasë.”
Kur Kim mbushi 30 vjeç, Caitlyn i shpjegoi të vërtetën e saj. Kim shtoi në intervistë se Caitlyn i kishte thënë: “Unë kam përjetuar këto ndjesi që fëmijë, nga mosha 4-vjeçare. Dhe vetëm kohët e fundit jam në gjendje që të jem vetvetja.”
Në një intervistë për Diane Sawyer në prill të vitit 2015, Caitlyn Jenner deklaroi publikisht se ishte një grua transgjinore. Jenner i ishte nënshtruar terapisë hormonale, por e ndaloi atë pasi romanca me Kris u bë serioze dhe përfundoi në martesë në vitin 1991. Jenner tregoi se kishte lejen që të eksploronte identitetin e saj gjinor kur udhëtonte vetëm, por jo kur ishte pranë Kris-it. Ajo shtoi se mosnjohja e mënyrës më të mirë për të folur për këtë çështje kontribuoi në përkeqësimin e martesës 23-vjeçare, që përfundoi zyrtarisht në vitin 2015.

Asokohe, Jenner tha se nuk ishte tërhequr kurrë seksualisht nga burrat, por gjithmonë nga gratë dhe duke patur parasysh vështirësinë që kanë njerëzit për të kuptuar ndryshimin midis orientimit seksual dhe identitetit gjinor, ajo do të identifikohet si aseksuale. Jenner iu nënshtrua ndërhyrjeve estetike dhe përfundoi operacionin e ndërrimit të seksit në janar të vitit 2017.
Intervista e Kim në “My Next Guest Needs No Introduction” do të publikohet më 21 tetor.