Dr. Skënder Murtezani, një specialist i Mjekësisë Klinike dhe Sëmundjeve të Brendshme, nga Tetova, por që jeton dhe ushtron profesionin në Nju Jork, u shpreh mëngjesin e sotëm (e hënë, 19 tetor) në një intervistë për “Wake Up” se Shqipëria do të jetë në gjendje të menaxhojë me sukses virusin, në rast se qytetarët mbajnë maska për 6 javë.
Dr. Murtezani theksoi se një vendim i tillë do të kufizojë përhapjen e mëtejshme të virusit, duke marrë shembullin e Kinës dhe të tjera vendeve ku maska është e detyrueshme kudo.
“Nuk është mendimi im, por e vërteta. Maskat shpëtuan Kinën pas përdorimit masiv dhe koronavirusi u mund për një muaj e gjysmë. Nju Jorku e filloi përdorimin e maskës dhe afërsisht fitoi luftën për tre muaj. Zelanda e Re e zhduku koronavirusin në maj. Europa Perëndimore uli numrat e të infektuarve në qershor. Po kështu, shtetet që nuk e përdorën, ato të Amerikës së Jugut dhe shtetet si Florida, Teksasi, Kalifornia, akoma po merren me Covid-19. Derisa virusi akoma studiohet, duhet të përdoret ajo që funksionon. Vaksina është e rëndësishme, po akoma nuk e dimë sa efektive do të jetë dhe nuk e dimë nëse, teksa përgatitet vaksina, koronavirusi mund të pësojë transformime dhe vaksina të mos ketë efekt.” – shkruan ai në një koment në Facebook, katër javë më parë.
Në Facebook-un e tij personal, Dr. Murtezani ka shpërndarë edhe një postim me moto “Të gjithë me maska, për gjashtë javë do të eleminojmë pandeminë”, në bashkëpunim me Albanian-American College of Physicians dhe Federatën Europiane të Mjekëve Shqiptarë. Në “Wake Up”, mjeku shtoi se media në Shqipëri nuk duhet t’u japë rëndësi dhe vëmendje njerëzve që janë kundër përdorimit të maskave, për aq kohë sa nuk janë specialisë të shkencës.