Në vend të hyrjes
Data e lindjes: 17 dhjetor 1936
Vendi i lindjes: Buenos Aires, Argjentinë
Emri i lindjes: Jorge Mario Bergoglio
Feja: Katolike
Fakte interesante
1. Papa Françesku është Papa i parë jezuit.
2. Papa i parë nga Amerika Latine.
3. Papa i parë që u shpall nga Time Magazine si “Personi i Vitit” në një kohë të shkurtër në detyrë.
4. Papa i parë jo-europian pas më shumë se 1,000 vjetësh.
5. Është trajnuar si teknik kimik, ka dhënë mësime letërsie dhe psikologjie në Immaculate Conception College në Santa Fé.
6. Ka qejf selfiet.
7. Papa i parë që doli në kopertinën e Rolling Stones.
8. Papa i parë që hoqi dorë nga automjeti i sigurt i Papës.
9. Ka vetëm një mushkëri, por gëzon shëndet të plotë.
10. Ka patur një motor Harley Davidson, të cilin e shiti për të ndërtuar një hostel dhe një kuzhinë super për të varfërit.
Deklaratat që tundën themelet e Kishës
Tetor, 2014: Teoria e Big Bangut
Në një fjalim në Akademinë e Shkencave, Papa u dha fund pseudo-teorive të krijimit, duke theksuar se teoria e krijimit të botës sipas shkencës, Big Bang, nuk është kundër Krijuesit, përkundrazi janë të përputhshme me njëra-tjetrën. “Kur ne lexojmë për Krijimin në gjenezë, rrezikojmë ta imagjinojmë Zotin si një magjistar me një shkop magjik që është në gjendje të bëjë çdo gjë. Por nuk është kështu,” tha ai. “Ai i krijoi qeniet njerëzore dhe i la të zhvilloheshin në bazë të ligjeve të brendshme që i dha secilit në mënyrë që të arrinin përmbushjen e tyre. Teoria e Big Bangut që sot mbahet si origjina e botës, nuk është në kontradiktë me ndërhyrjen e krijuesit hyjnor, ajo ka nevojë për të.”
Prill, 2016: Pranimi i homoseksualëve dhe të divorcuarve
Papa Françesku u kërkoi priftërinjve që të jenë më të hapur në pranimin e homoseksualëve dhe të divorcuarve dhe të tjerë personave që jetojnë në situata që kisha i quan “të parregullta”. “Një pastor nuk mund të ndjejë që është i mjaftueshëm thjesht aplikimi i ligjeve morale, si të ishin gurë për t’u hedhur në jetët e njerëzve”. Papa theksoi se “diskriminimi i padrejtë” ndaj gay-ve dhe lesbikeve është i papranueshëm.
Qershor, 2016: Kisha duhet t’i kërkojë falje komunitetit LGBT+
“Përsëris atë që katekizmi i Kishës Katolike thotë: Ata nuk duhet të diskriminohen, ata duhet të respektohen dhe të shoqërohen në mënyrë pastorale,” tha Papa në një konferencë në avionin papal teksa kthehej nga Armenia. “Kisha duhet të kërkojë të falur sepse shumë herë nuk është sjellë siç duhet [dhe] kur them kisha, e kam fjalën për të krishterët! Kisha është e shenjtë, ne jemi mëkatarët.”
Shkurt, 2017: Më mirë të jesh ateist, se...
Teksa predikonte fjalën e tij, Papa Françesku i përcolli botës disa mesazhe si kurrë më parë. Ai kritikoi jetën e dyfitshtë që bëjnë disa prej anëtarëve të kishës. Papa tha se më e ndershme do të ishte të jesh ateist, sesa një hipokrit që pretendon se është i krishterë.
Mars, 2017: Kam mëkatuar
Në një intervistë, Papa rrëfeu se ndonjëherë i ndodh të ndihet bosh dhe se ka momentet e tij të errëta, por përsëri kërkon ndihmën e Zotit për t’i kaluar. I pyetur nëse i ka ndodhur të dyshojë ndonjëherë në thirrjen e tij, u shpreh: “Njeriu nuk mund të rritet nëse nuk kalon sfida apo momente dyshimi në jetën e tij. Madje dhe ndryshimi biologjik i njeriut është një krizë më vete apo jo? Procesi i kalimit nga fëmijëria në maturim. E njëjta gjë ndodh dhe me fenë”. Papa u shpreh se ndihet një njëri i thjeshtë si gjithë të tjerët, ka mëkatuar dhe ka patur momentet e tij të dobëta. “Nuk më pëlqejnë kur më idealizojnë, pasi idealizimi është formë e fshehur e agresionit.”
Maj, 2018: Homoseksualiteti u krijua dhe dhurua nga Zoti [?]
Një mbijetues i abuzimit seksual nga një klerik deklaroi se Papa Françesku i tha se Zoti e bëri gay dhe e donte. Juan Carlos Cruz, i cili foli privatisht me Papën në lidhje me abuzimin që i shkaktoi pedofili më famëkeq i Kilit, tha se biseda arriti deri te seksualiteti i tij sepse peshkopët në Amerikën Latine e përdorën kundër tij dhe e bënë të dukej si pervers dhe gënjeshtar. “Më tha, Juan Carlos, fakti që je gay nuk ka rëndësi. Zoti të bëri të tillë dhe të do të tillë. Për mua s’ka rëndësi. Papa të do kështu si je. Duhet të jesh i lumtur me veten tënde,” tha Cruz për gazetën spanjolle El País. ”Greg Burke, zëdhënësi i Vatikanit, nuk konfirmoi nëse deklarata e Cruz i përputhej kontekstit dhe bisedës me Papën.
Shkurt, 2019: Priftërinjtë kanë abuzuar seksualisht me murgeshat
Pas pyetjes së një gazetari në avionin që po merrte Papën nga një udhëtim në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai pranoi se priftërinjtë dhe peshkopët kanë sulmuar seksualisht murgershat. “Kishte priftërinj dhe peshkopë gjithashtu që e bënin këtë”, pohoi Papa, i cili nuk a adresoi çështjen drejtpërdrejtë.
Tetor, 2020: Bashkimi civil brenda të njëjtit seks
Pak ditë më parë, Papa dha mbështetjen e tij më të qartë për bashkimet civile brenda të njëjtit seks. Komentet e tij erdhën në një intervistë në një film dokumentar, Francesco, i cili pati premierën në festivalin e filmit në Romë. Ai tha: “Njerëzit homoseksualë kanë të drejtë të jenë në një familje. Ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtë për një familje. Askush nuk duhet të hidhet jashtë. Ajo që duhet të krijojmë është një ligj i bashkimit civil.”
Fakte të tjera, po kaq të rëndësishme
- Papa ka puthur këmbët e të burgosurve, për të kujtuar pasionin e Krishtit. Gjithashtu ka larë këmbët e grave dhe muslimanëve.
- Papa i ofroi mbështetje një gruaje të përdhunuar, pasi lexoi letrën e saj. Ai i kushton goxha kohë nga dita e tij njerëzve të thjeshtë, e sidomos të shtypur.
- Nuk i sheh shtrembër ateistët e as i nxit të krishterët të ndjejnë urretjeje kundrejt tyre.
- Papa respekton fetë e tjera dhe beson se në një formë ose në një tjetër, të gjithë besojmë në Zot. Ai inkurajon të krishterët dhe muslimanët të jetojnë dhe punojnë së bashku. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në shtator të 2014-ës, shprehu admirimin për Shqipërinë, si një nga vendet për t’u marrë shembull për bashkëjetesën fetare: “Kjo është një vlerë që duhet ruajtur dhe zhvilluar çdo ditë. Uroj që Shqipëria të vazhdojë në këtë rrugë dhe të jetë shembull për shumë vende të tjera.”
Referencat për realizimin e artikullit: Biography.com, Radio Vaticana, New York Times, Guardian, Independent, CNN, RTL Télé Lëtzebuerg, Good HouseKeeping, El País.