Kanye West foli për jetën dhe planet e tij presidenciale gjatë një interviste në podcasting “Joe Rogan Experience”.
Në episodin gati tre orësh, i cili u ngarkua në Spotify të shtunën, reperi 43-vjeçar tha se besimi i tij i ri i krishterë dhe kandidimi aktual për president ishin frymëzuar nga Zoti.
“Ishte diçka që Zoti më vuri në zemër që në vitin 2015. Disa ditë para ndarjes së çmimeve MTV, më erdhi një lloj ndriçimi në dush. Kur e mendova për herë të parë, thjesht fillova të qesh me vete dhe i gjithë ky gëzim erdhi në gjithë trupin tim, përmes shpirtit."
Ai pranoi se miqtë dhe kolegët e famshëm ose menduan se po bënte shaka ose u përpoqën ta bindnin atë që të mos fillonte fushatën e tij.
Kanye tha se do t’u thoshte të gjithë atyre që i thanë jo se “deri atëherë, ai do të jetë bërë miliarder”.
“Jo se kjo është një arsye pse dikush duhet të jetë president," sqaroi ai shpejt. "Në atë kohë, unë kisha 50 milionë dollarë borxh dhe e dija që do të mund t’i ktheja ato.”
West tha se ai beson se krijimtaria dhe personaliteti i tij e bën atë një pretendent të fortë krahasuar me Presidentin Trump dhe sfiduesin demokrat, Joe Biden.
"Nuk mund të ketë një kohë më të mirë për të vendosur një vizionar në karrigen e kapitenit," tha ai.
West tha se nëse nuk fiton, ai është i hapur për të kandiduar për guvernator të Kalifornisë.
"Nëse është në planin e Zotit të jem guvernator, atëherë shumë mirë, por thirrja ime është të jem udhëheqësi i botës së lirë," tha ai.
Reperi ka në plan të kandidojë përsëri në vitin 2024 dhe ai ndosha mund ta bëjë këtë nën një parti tjetër politike.
“Nëse s'ndodh tani, unë jam 100% i sigurt se do fitoj në vitin 2024. Me shumë mundësi do të isha demokrat.”
Burimi: Fox News