Celebrity

Chrissy Teigen flet për përvojën e dhimbshme dhe faktin se pse zgjodhi ta fotografonte

Shkruar nga Anabel

28 Tetor 2020

Chrissy Teigen flet për përvojën e dhimbshme dhe faktin se pse

Pak javë pasi bëri publik lajmin e humbjes së fëmijës, Chrissy Teigen ndau me ndjekësit e saj një rrëfim intim dhe të detajuar mbi përvojën e dhimbshme, duke përfshirë këtu edhe vendimin për t’u fotografuar në shtratin e spitalit, që shkaktoi jo pak reagime në rrjete sociale.

Në një ese të botuar në Medium, Teigen tha se ajo dhe bashkëshorti, John Legend, humbën fëmijën e tretë pak më shumë se në gjysmën e shtatzënisë. Ajo u shtrua në spital për shkak të gjakderdhjes së vazhdueshme dhe u diagnostikua me shkëputje të pjesshme të placentës. Chrissy u detyrua të lindte foshnjën, të cilin e kishin quajtur paraprakisht Jack.

“Unë e mora vesh atë që do të ndodhte. Pas epidurialit, do të nxitesha që të lindja një bebe 20 javësh, një djalë që nuk mbijetoi kurrë në barkun tim (ju lutem, më falni për këto terma të thjeshtë). Unë gjendesha e shtrirë në shtrat për më shumë se një muaj, duke u përpjekur ta çoja bebin në 28 javë, një zonë më e sigurt për të.”

Ndonëse monitoruan gjakderdhjen për ditë me radhë, duke shpresuar që gjërat të përmirësoheshin, në fakt ndodhi e kundërta.

“Gjakderdhja ime po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Lëngu rreth Jack-ut po pakësohej – ai mezi ishte në gjendje të notonte përreth. Në një pikë, betohesha se kishte aq pak, sa mund të shtrihesha në shpinë dhe t’i ndieja krahët dhe këmbët e tij në barkun tim. Pas disa netëve në spital, mjeku më tha saktësisht atë që e dija që do të vinte – ishte koha për t’i thënë lamtumirë. Ai thjesht nuk do t’i mbijetonte kësaj sfide dhe nëse vazhdoja më gjatë, edhe unë nuk do të mbijetoja.”

Më pas, Chrissy rrëfen për momentin më të vështirë:

“Më thanë që do t’i jepja lamtumirën në mëngjes. Qava pak në fillim, pastaj shpërtheva në lot, mezi merrja frymë nga trishtimi i thellë. Edhe teksa shkruaj këtë, e ndiej dhimbjen sërish. M’u vendos oksigjeni në hundë dhe gojë dhe atje u realizua fotoja e parë që patë.”

Chrissy shkruan se i kishte kërkuar John-in që ta fotografonin momentin, pa marrë parasysh sa i dhimbshëm ishte, sepse ata e dinin që fëmija nuk do të mbijetonte.

“I thashë John-it, i cili po hezitonte, se më duheshin ato foto pa qenë nevoja që t’i shpjegoja pse. Ai thjesht duhet t’i bënte. Ai e urreu këtë gjë. Mund ta them. Nuk kishte kuptim për të në atë moment. Por unë e dija që do të duhej ta kujtoja atë moment përgjithmonë, në të njëjtën mënyrë si do të kujtoja puthjen tonë të parë në fund të korridorit pasi lindi Luna dhe Miles. Dhe absolutisht e dija se kisha nevojë ta ndaja këtë histori.”

Në vijim, modelja iu kundërpërgjigj njerëzve që e kritikuan për postimin e fotove në rrjete sociale.

“Nuk e shpreh dot se sa pak më intereson fakti që ju i urreni fotot. Sa pak më intereson fakti që ju nuk do t’i kishit postuar. Unë e jetova, unë zgjodha t'i bëj dhe këto foto nuk janë për këdo, por për njerëzit që e kanë jetuar këtë përvojë ose janë mjaftueshëm kuriozë që të dinë për këtë gjë. Këto foto janë vetëm për njerëzit që kanë nevojë për to. Mendimet e të tjerëve nuk kanë rëndësi për mua.”

Më pas shton:

“Nuk e di sa kohë priti ai që të dorëzohej. Ky peng do të më ndjekë gjithmonë. Thjesht duke shkruar për të, i kam sytë me lot. Gjithë çfarë di është që hiri i tij gjendet në një kuti të vogël, duke pritur të vendoset nëntokë në shtëpinë tonë të re, atë që blemë duke pasur në mendje dhomën e tij.”

Chrissy falenderoi të gjithë njerëzit që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj kohe, përfshirë këtu edhe të panjohurit.

“Shkova në një dyqan dhe zonja te arka më vendosi në heshtje lule në karrocën time. Pjesa më e keqe është fakti që ka shumë gra që nuk do të kenë mundësi të përjetojnë këto momente nga të panjohurit. Ju lutem, jini të sjellshëm me ata të cilëve u dhemb zemra.”