Projekti i fundit i Anabel Entertainment dhe Nilor Film është “Kosherja by Anabel”, një program për fëmijë i cili që në fillim u ideua dhe ndërtua si një program argëtues dhe edukues për fëmijët shqiptarë, sjellë në një format bashkëkohor që i shkon për shtat ritmit të zhvillimit të tyre.
Fëmijët e sotëm inteligjentë nuk e gjejnë veten te prodhimet shqiptare për fëmijë, të paktën nga televizionet (jo platformat), ku nëpër spektakle, fëmijët përdoren si formë për të tërhequr shikueshmërinë e të rriturve. Nga ana tjetër, fëmijët janë gjithnjë e më të shkëputur nga gjuha e tyre, sepse informacionin e marrin në anglisht në YouTube e të tjera platforma. Një dukuri e tillë është theksuar dukshëm edhe nga fakti që fëmijëve nuk u ofrohen zgjedhje.
Nisur nga ky boshllëk i madh i prodhimeve për fëmijë dhe shqetësimi i shumë prindërve shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve, gjykuam se kemi mundësinë që t’u ofrojmë fëmijëve një produkt i cili do të jetë modern në përmbajtje, audio dhe figurë.
Struktura e “Kosherja by Anabel”, me kryeredaktor Elind Selenicën dhe drejtore prodhimi Amela Çaçin, do të jetë i thjeshtë: Nëntë fëmijë, në formatin klasik të Anabel, do të mbushin përmbajtjen me aventura, diskutime dhe argëtim. E veçanta e programit është fakti se do të jenë vetë fëmijët që do t’u flasin moshatarëve të tyre; të rriturit thjesht do t’i ndihmojnë.
View this post on Instagram
“Nëntë personazhe kryesore dhe shumë të tjerë do të hyjnë e do të dalin në kosheren tonë të zhurshme, do t’i udhëheqin shikuesit e vegjël çdo javë në një aventurë argëtuese dhe edukuese, në një format të kohës dhe në gjuhën e tyre.” – shkruhet në faqen zyrtare të “Kosherja by Anabel” në Instagram.
“Kosherja by Anabel” – i vetmi program shqip që fëmijët e sotëm do e kuptojnë në shqip – do të transmetohet çdo javë në kanalin e YouTube-t të Anabel Entertainment.