Universiteti

Përditësim mbi kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e universiteteve

Shkruar nga Anabel

29 Tetor 2020

Përditësim mbi kërkesën e Ministrisë së

Në një komunikatë për mediat, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, njoftoi propozimin për mbylljen e universiteteve.

“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë, Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm në distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën në dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.

Fakultetet kanë bërë me dije se mësimi do të jetë i kombinuar, ku leksionet do të organizohen online, ndërsa seminaret nëpër auditore. Për momentin, mbetet në dorën e fakulteteve se cilën formë të mësimdhënies do të zgjedhin të zbatojnë. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë për shembull njoftoi orë më parë se mësimi do të kryhet edhe online edhe në auditor. 

Shënim: Nisur nga njoftimi i postuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, ku shkruhet ndër të tjera "Prof. Mira Rakacolli në një komunikim publik ka bërë me dije se vendimin e marrë unanimisht nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për zhvillimin e mësimit online nga strukturat universitare [sic]" në një version të mëparshëm të këtij artikulli, u shkrua se Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbylljen e universiteteve. Në fakt, Prof.Rakacolli propozoi mësim vetëm online, por vendimi final u takon fakulteteve.