Një person, identiteti i të cilit është vendosur të lihet anonim, ka folur për emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews, për kostot financiare të përballimit të Covid-19.
Personi shprehet se nga familja e tij me katër anëtarë, ai nuk është infektuar, por tre anëtarët e tjerë të familjes, po.
“Dy nga personat ishin në moshë të re dhe e kaluan dy-javëshin e sëmundjes në shtëpi dhe në tre javë, ishin rikuperuar totalisht. Personit të tretë, i cili ishte dhe në moshë më të madhe, iu desh të shtrohej në spital për dy javë, me një fazë rikuperimi totale katër-javore”, ka thënë ai për “Me pak fjalë”.
Të tre njerëzit u sëmurën në të njëjtën kohë brenda një muaji, me diferencë prej pak ditësh nga njëri-tjetri.
“Faza e parë e sëmundjes është e vështirë për të gjithë, sepse sëmuret i pari dhe ekziston frika për të tjerët. Në të njëjtën kohë është dhe ankthi se si do shkojë rrjedha e sëmundjes. Është një ngarkesë e madhe psikologjike, emocionale.
Personi i painfektuar, i cili po jep edhe dëshminë, tha se sapo vuri re simptomat, mori disa suplemente/vitamina në sasi të shtuar. Kostoja e vitaminave ishte 12 mijë lek.
Masat e tjera përfshinin rritje të kujdesit ndaj higjienës dhe izolimin.
Përsa i përket të ardhurave ekonomike, familja e infektuar thotë se i përket një shtrese të mesme me të ardhura mesatare.
“Dy personat e infektuar, më të rinj në moshë, patën një kurë që nuk përfshinte antiviralin. Kostoja e mjekimeve për të dy ishte përafërsisht 90 mijë lek.”
Ndërkohë, personi i tretë, që ishte në gjendje më të rëndë, i duhej edhe një antiviral, trajtim i cili kushtonte 700 euro.
“Antiviralin e morëm privatisht. Pa antiviralin, kostoja shkon diku te 35 mijë lek për person, pa përfshirë vitaminat e mia.”
Mbeten ende kostot për ushqimet e shëndetshme dhe lëngjet.
“Je i detyruar që ushqimi të të vijë në shtëpi me pagesë.”
Në kosto shtohen edhe ekzaminimet nga sëmundjet: 2 skanerët, nga 15 mijë lek për person, grafitë nga 20 mijë lek secili dhe analizat e trashësisë së gjakut, për 40 mijë lek secili.
“Së bashku me tamponin në spital privat, 100 euro secili, vetëm ekzaminimet e Covid-it na shkuan rreth 60 mijë lek.
Pas dy muajve nga kalimi i sëmundjes nevojiten përsëri procedura, për t’u siguruar që do të jemi mirë.”
Burimi: Euronews