Ju sot mund t’i pëlqeni perimet, të jeni vegjetarianë apo veganë ose t’i keni pjesë të përditshme të dietës suaj ushqimore. Por me gjasë, dikur në fëmijëri, keni përjetuar “makthe” kur bëhej fjalë për të ngrënë lulelakrën, bamjet apo japrakët.
Në episodin e parë të programit për fëmijë “Kosherja by Anabel”, një prodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film, fëmijët u vendosën përballë një sfide, në të cilën u duhej të hanin japrakë. Përveç njërit prej fëmijëve, Etanit, pjesa tjetër e pati të pamundur të hante japrakë dhe jo më kot. Ka disa arsye shkencore se pse fëmijët nuk i pëlqejnë perimet.
Fëmijët kanë nevojë për shumë energji, shumë më tepër sesa të rriturit. Nisur nga ky fakt, ata instiktivisht zgjedhin ushqimet të cilat mund t'u sigurojnë më shumë energji (veçanërisht në formën e glukozës, karburantit të tyre të preferuar). Perimet nuk janë të dendura në kalori, që do të thotë se nuk u japin shumë energji. Nga ana biologjike, nuk ka shumë kuptim që fëmijët të duan ushqime të cilat nuk u sigurojnë energji.
Një faktor tjetër biologjik që i bën fëmijët të mos i duan perimet është shija e tyre. Zarzavatet kanë një shije që është paksa e hidhur për shkak të përmbajtjes së kalciumit dhe përbërësve të tjerë. Ata, ndryshe nga të rriturit, e kanë të vështirë ta pëlqejnë shijen e hidhur kështu që e shmangin atë.
Duke iu referuar evolucionit, hidhërimi është shenjë e një helmimi të mundshëm. Kështu që shumë studime theksojnë se instiktet natyrore të fëmijëve bëjnë që ata të mos i pëlqejnë perimet. Përpos kësaj, aftësia e tyre për detoksifikim është më e vogël, ndaj janë më të ndjeshëm ndaj këtyre ushqimeve, ndryshe nga të rriturit.
Vlen të theksohet se me kalimin e kohës dhe rritjen në moshë, shqisat tona ndryshojnë, ndaj nuk është çudi që si të rritur t’i shijojmë perimet. Përpos kësaj, të rriturit kanë krijuar tolerancë ndaj shijes së hidhur përmes ekspozimit të përsëritur, ndryshe nga të vegjëlit.
Një arsye tjetër se pse fëmijët nuk i preferojnë perimet mund të lidhet me konceptim psikologjik të mësimit shoqërues të çiftuar. Ata kanë tendencën që ushqimet t’i lidhin me kujtime pozitive. Për shembull akulloret, tortën apo karamelet i lidhin me festat, pushimet dhe shpërblimet. Kështu priren t’i shoqërojnë perimet me kujtime më pak pozitive, si për shembull prindërit që i bezdisin gjatë vakteve të drekës dhe i detyrojnë të hanë “ato gjërat e gjelbra”. Kjo bën që fëmijët t’i shohin ushqimet e ëmbla si shpërblim, ndërsa perimet si diçka e zakonshme dhe e detyrueshme.
Për fat të mirë, me rritjen në moshë, njerëzit ndryshojnë zakonet e të ushqyerit.
Çfarë duhet bërë në rast se fëmijët refuzojnë të hanë perime:
- reduktoni shijen e hidhur;
- bëjeni ushqimin të duket i shijshëm, përdorni metoda kreative;
- përdorini shpesh.
Burimet: Spoon University, Huffington Post