Një tjetër ngjarje e rëndë përsëritet në spitalin "Covid-2", ku një pacient i infektuar me koronavirus është hedhur nga ambientet e këtij spitali.
Burime për Abc News bëjnë me dije se viktima 52-vjeçar është hedhur nga dritarja e dhomës në katin e katërt, ku ishte i shtruar prej ditësh në gjendje të rëndë.
Nisur nga pyetjet e para drejtuar stafit dhe familjarëve, thuhet se ditët e fundit viktima ka shfaqur probleme me shëndetin mendor, probleme të cilat nuk i ka patur më parë.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe drejtori i spitalit "Shefqet Ndroqi" duke thënë se pacienti ka qenë i shtruar aty që prej datës 25 tetor dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë psikologjike jo normale përgjatë asaj kohe.
Ky, është rasti i tretë që një pacient vetëvriten duke u hedhur nga dritaret e spitalit. Në gusht të këtij viti, Xhino Koca, një 29-vjeçar i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i "Shefqet Ndroqit", e ndërsa pas tij, një 65-vjeçar gjithashtu në gjendje të rëndë zgjodhi t'i jap fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i spitalit.
Përsëritja e shpeshtë e kësaj historie përveç panikut që ngjall duket se është kthyer në alarmante.