Njoftimi se për të paktën 1 muaj mësimi në universitete do të kryhet online ka shkaktuar pasiguri, pakënaqësi dhe shumë pikëpyetje tek një pjesë e mirë e studentëve. Një vendim i tillë, i marrë si pasojë e situatës së shkaktuar nga Covid-19, po aplikohet në një pjesë të mirë të vendeve në Europë dhe botë, dhe jo vetëm studentët shqiptarë, ndihen të paqartë me rrugëtimin e mësimit online.
Në inbox-in e Instagram-it Anabel_media kanë mbërritur mesazhe nga studentë, të cilët thonë se e kanë të pamundur të ndjekin mësimin online, për shkak të pamundësive ekonomike që do të thotë: mungesa e një kompjuteri/lap-top apo tarifat e larta të çmimeve për internet.
Një tjetër problem madhor, është praktika. Një pjesë e mirë e degëve kërkojnë punë laboratorike, por sa do të mund të realizohet kjo online?
Me të drejtë, teksa japin shembuj me politikat e ndjekura në Gjermani, Rumani, etj, ngrenë pyetjen nëse vendi ynë ka mundësinë t'i sigurojë një zgjidhje efikase për këtë.
Çfarë po ndodh në botë me mësimdhënien online?
Fillimisht, duhet pranuar se cilësia e leksioneve të marra online nuk mund të krahasohet dhe as e zëvendëson ndërveprimin ballë për ballë as në universitetet në Shqipëri dhe as në botë. Studentët nuk mund të marrin më të mirën e një ore mësimore nëse e kanë të pamundur ta përjetojnë siç duhet jetën studentore.
Pavarësisht kësaj, universitetet në Angli po bëjnë një përpjekje të madhe- në terma financiarë, teknologji, ekspertizë dhe kohë- për ta bërë mësimdhënien online efektive. Kostot e të mësuarit në mënyrë virtuale janë të larta, kërkojnë parapërgatitje dhe orë të shtuara pune.
Përsa i përket praktikës dhe orëve laboratorike është një sfidë për të gjithë universitetet e botës të kthyera online. Sigurisht që e bukura e një eksperimenti shkecor është të vësh në punë dijet duke prodhuar (dhe prekur) vetë produktin e krijuar prej tyre, por në pamundësi duhen gjetur zgjedhje të tjera alternative.
Universitete në Australi si: La Trobe, University of Technology Sydney, UNSW, Monash dhe Murdoch, kanë propozuar një projekt pilot, duke i ofruar studentëve një eksperiencë pune në laborator jashtë kampuseve.
Deri më tani, ideja është dukur interesante, përtej faktit që praktika është një kosto shtesë për universitetin. Këto orë, sipas këtij projekti studentët australianë do t'i zhvillojnë në ndërtesa të dedikuara laboratorëve me asistentë të përkohëshëm në dispozicion dhe me masa të sigurta kundër Covid. E gjithë kjo përkthehet në shpenzim.
Pra cilat janë mënyrat më optimale që studentët të mos e humbasin eksperiencën e praktikës mësimore?
1. Dërgimi i eksperimenteve me postë
Kjo është ideja e parë dhe më e thjeshta që të vjen ndërmend. Kompletet laboratorike, pasi të mblidhen në universitet do t'ju dërgohen studentëve me postë, për ta provuar secili në shtëpitë e tyre. Një opsion i tillë vjen me shumë disavantazhe. Pikë së pari; është i kushtueshëm, studentët mund të mos e mësojnë si kryhet saktë eksperiemti, apo pajisjet mund të dëmtohen.
2, Eksperimente nga shtëpia
Një tjetër ide është kryerja e eksperimenteve nga shtëpia me mjete rrethanore. Një pjesë e mirë e eksperimenteve në fizikë, biologji apo kimi bëhen duke përdorur mjete të përditshme, por dhe kjo ka riqet e veta.
3. Laboratori online
Objektivi i së ardhmes është krijimi i një eksperience laboratorike komplet online. Për t'u arritur kjo, do të duhej kombinimi i realitetit virtual dhe një telekomande që drejton pajisjet laboratorike, e cila mund të përdoret direkt nga studentët në shtëpi, por njësoj si opsionet më lart dhe kjo vjen me disavantazhe që duhen shqyrtuar me kujdes. Shumë studentë mund të hyjnë online në të njëjtën kohë për të njëjtin eksperiemnt, telekomanda mund të prishet dhe më kryesorja kostot janë shumë të larta!
Atëherë, çfarë e pret të ardhmen e orëve laboratorike?
Pavarësisht niveleve të larta të mësimdhënies, edhe universitetet në botë janë ende në fazën e përshtatjes. Mes gjithë kësaj pasigurie, diçka është e sigurtë: nën presionin financiar që gjendet bota aktualisht, universitetet do të përpiqen të ulin çdo kosto të mundshme, prandaj duhet një analizë më e detajuar në lidhje me këtë çështje.
Përveç frustrimit të studentëve, një barrë e madhe bie edhe mbi stafet pedagogjike. Krejt papritur, 2020-ta i kërkoi të bëhen ekspertë në mësimdhënien online. Një vit i ri akademik në të tilla kushte, kërkon investim përsa i përket përgatitjes së stafit në lidhje me aftësitë që duhen për të shpjeguar online.
Deri më tani, eksperienca (të paktën në vende të ndryshme të botës) ka treguar se mësimi online është një punë që kërkon ekip të zgjeruar. Shumë universitete të huaja kanë vënë në dispozicion një numër të madh specialistësh të mësimit dixhital apo dizajnera mësimdhënieje.
Të rinjtë shqiptarë, nuk janë studentët e vetëm të pakënaqur me mësimin virtual. Ndryshimet e shpejta shoqërohen gjithnjë me të tilla ankesa, por është e rëndësishme që universitetet të kujtohen se janë përgjegjës për t'i afruar të rinjve eksperiencën më të mirë të edukimit dhe të jetës studentore, qoftë kjo online apo fizikisht.
Përshtatur nga The Conversation