Në një intervistë për Prive, aktorja Adriana Matoshi rrëfeu publikisht lidhjen me Keith Groeneveld, një futbollist 21 vjeç i lindur në Afrikën e Jugut, i cili së fundmi ishte pjesë e Feronikelit, klubit të futbollit të qytetit të Drenasit në Kosovë. Në intervistën e saj, Adriana rrëfeu se u njoh rastësisht me Keith dhe të dy nuk e njihnin njëri-tjetrin. “U dashuruam me shpirtrat e njëri-tjetrit,” tregoi ajo.
“Kemi folur për shumë tema dhe mund të them që nuk e kam pasur një komunikim të tillë me dikë,” shtoi aktorja, nënë e katër fëmijëve nga marrëdhënia me ish-bashkëshortin Albert Sylejmani.
Një ditë pas intervistës, Qendra Kinematografike e Kosovës njoftoi se Adriana Matoshi fitoi çmimin si “Aktorja më e mirë” në festivalin Mostra de Valencia për rolin në filmin “Zana” me regji të Antoneta Kastratit. Çmimi, i shumti në karrierën e aktores dhe i disati për rolin e saj në “Zana”, duket se kaloi pa u vënë re, pasi një pjesë e njerëzve u mor me lidhjen e saj të re. Shumë prej tyre i dhanë vetes të drejtën të komentonin për faktin që Keith është 21 vjeç, 19 vite më i ri se Matoshi, dhe njëkohësisht është afrikan. Disa të tjerë e quajtën lidhjen edhe “pedofili”.
Komentet e njerëzve nxitën gjithashtu reagimin e emrave të njohur në Kosovë, si për shembull ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gazetari Burat Buzhala, moderatorja Liberta Spahiu etj., të cilët kritikuan komentet negative.
Përpos reagimit negativ në rrjete sociale, ka edhe të tjerë njerëz që vënë në dukje se askush nuk mund t’i japë vetes të drejtën të gjykojë lidhjen e dashurisë së personave në fjalë. Përpos kësaj, romanca e aktores ka nxjerrë në pah edhe një tjetër problem, racizmin, sepse përpos moshës, një pjesë e komenteve lidhen me faktin se Keith është afrikan.
“Dashuria edhe lidhja mua nuk më bën as njeri më të mirë as më të keq. Dashuria mundet vetëm të më bëjë të lumtur.” – shkroi vetë aktorja në Instagram.