Shqipëria

Çfarë po rrit rrezikun e vetëvrasjeve te të sëmurët me Covid: Flasin ekspertët

Shkruar nga Anabel

2 Nëntor 2020

Çfarë po rrit rrezikun e vetëvrasjeve te të

Një ditë më parë (e diel, 1 nëntor) një pacient i infektuar me Covid-19 ndërroi jetë pasi u hodh nga dritarja e spitalit “Shefqet Ndroqi” ku merrte trajtimin për koronavirusin. Duke qenë se nuk është hera e parë që një i infektuar me Covid-19 vret veten, shëndeti mendor i këtyre pacientëve ka shqetësuar specialistët e fushës.

Në një komunikim virtual për emicionin “ABC-ja e mëngjesit”, mjekja Aurora Meta Dollenberg, me bazë në Gjermani, u shpreh se është rritur ankthi dhe depresioni te pacientët e sëmurë me Covid-19. Ajo theksoi se është e vështirë të ndjekësh një terapi të problemeve mendore, kur mjekët janë të përqëndruar te problemet fizike, megjithëse terapia antidepresive duhet të mos nënvlerësohet.

“Por faktikisht nuk duhet të nënvlerësohet sepse rastet urgjente me vetëvrasje e vërtetojnë që aspekti psiqik në këtë pandemi luan rol dominant dhe nuk kanë probleme as me mushkëritë apo me zemrën, por me një depresion dhe ankth që duke e injoruar mund të çojë deri në vetëvrasje. Duhet të bëhet dhe një terapi me antidepresiv dhe medikamente që e çlirojnë pacientin nga ankthi dhe e lejojnë të flejë gjumë.” – tha ajo.

Mjekja psikiatre Dr. Arjana Rreli në një intervistë për ABC News tha se ndikon negativisht fakti që pacientët e sëmurë e kalojnë infeksionin larg familjes.

“Pasiguria ka ngritur mekanizma të ankthit dhe të panikut. Kurimi i kësaj sëmundje është që të gjendemi larg familjarëve në përballimin e një situate të tillë dhe kjo bën që ngarkesa psikologjike e pacientit mund të jetë e madhe duke çuar në një çrregullim të madh mendor. Kjo është një sëmundje që prek sistemin e respiracionit dhe mungesa e oksigjenit në tru jep pasoja të rënda deri në komprementim të humorit dhe në vendimmarrje të tilla ekstreme.” – u shpreh ajo.

Nuk është hera e parë që Rreli flet për problemet e shëndetit mendor te këta pacientë.

"Kjo pandemi me të cilën e po përballemi nuk mund të kalojë pa faturën e vet në sistemin shëndetësor. Si një agresor jo vetëm fizik, por edhe psikologjik, ndikon te secili. Ai më shumë ndikon nëse individi ka trauma pararendëse.” – tha ajo në gusht.