Health News

Ekspertët e shëndetit: ‘Doza e koronavirusit që një person merr, përcakton se sa do të sëmuret ai’

Shkruar nga Anabel

2 Nëntor 2020

Ekspertët e shëndetit: ‘Doza e koronavirusit që një

“Doza e bën helmin”, është një fjalë e urtë e Paracelsus, një mjeku-filozof zviceran nga Rilindja e Hershme.

Në thelb, kjo do të thotë që çdo substancë mund të bëhet toksike nëse jepet në një përqendrim mjaft të lartë. Madje, edhe shumë ujë mund të “hedhë” elektrolitet tuaja dhe të jetë potencialisht fatale.

Të parit e koronavirusit përmes kësaj lenteje, pra, që “doza” e virusit që merrni mund të bëjë një ndryshim midis të qenit asimptomatik, të qenit sëmurë pa shumë probleme apo të qenit në gjendje kritike, mund të jetë i dobishëm kur mendoni për mbrojtjen kundër Covid-19.

SARS-CoV-2 ka të ngjarë të sillet si virusët e tjerë

“Koncepti i nevojës së një doze të caktuar të një patogjeni për të shkaktuar një infeksion, është treguar të jetë rasti për shumë viruse”, shpjegon Erin Bromage, profesor i biologjisë në Universitetin e Massachusetts, Dartmouth.

Nëse i jepni një dozë të ulët një kafshe, ato mund të jenë në gjendje ta shmangin atë pa zhvilluar asnjë sëmundje, por nëse doza vazhdon të rritet, rezultatet mund të jenë më të rënda.

“Pra, doza infektive është e rëndësishme”, tha Bromage, duke e cilësuar marrëdhënien si “të varur nga sasia e dozës”.

Një mënyrë për ta kuptuar është ngjizja: Nuk ju duhen miliona spermatozoide për të fekonduar një vezë, ju duhet vetëm një, por burrat bëjnë miliona spermatozoide për të përmirësuar shanset që ndonjë prej tyre të arrijë vezën, të kapërcejë mbrojtjen e saj dhe ta fekondojë atë.

Pra, kjo varësi nga doza nuk do të thotë se duhet një numër i caktuar i grimcave të virusit për të infektuar një qelizë, por rritja e dozës thjesht rrit shanset që një prej atyre grimcave virale të arrijë të hyjë në qelizë dhe ta infektojë, duke shkaktuar një reaksion zinxhir.

Marrja e një doze virale në të njëjtën kohë ose shpërndarja me kalimin e kohës

Ka një dimension tjetër të dozës virale dhe ka të bëjë me kohën. Nuk është me rëndësi vetëm doza e virusit që merrni në një moment të caktuar në kohë. Mund të jetë edhe shuma e dozave virale që merrni gjatë një periudhe të caktuar kohe.

Në mes të tetorit, Qendra për Kontrollin dhe Parandalim e Sëmundjeve në Amerikë e ndryshoi përkufizimin e termit “kontakt të ngushtë”, për të përfshirë dhe ekspozime të shumta e të shkurtra, si për shëmbull qëndrimi për 15 minuta me një person të infektuar.

Nuk ka të bëjë vetëm me virusin, por dhe me individin

Virusi nuk është organizmi i vetëm që luan rol. I rëndësishëm është dhe vetë individi.

Mundësia e infektimit varet nga disa faktorë si fiziologjikë, sjelljet personale apo zakonet shëndetësore të një individi si pirja e duhanit, dieta, aktiviteti fizik dhe gjumi. Një person i moshuar dhe i sëmurë padyshim përbën skenarin më të keq. Një person i brishtë nga ana mjekësore, mund të sëmuret dhe nga një dozë e ulët e virusit.

Për shkak se njerëzit nuk mund të kontrollojnë nëse dhe sigurisht, as sa dozë virale marrin, mjekët dhe ekspertët e shëndetit vazhdojnë të përsërisin çfarë duhet bërë për të qëndruar të sigurt: të mbajmë distancën fizike nga çdo njeri që nuk është anëtar i familjes, të zgjedhim ambiente të jashtme dhe hapësira të madhe, të kujdesemi për higjienën, të lajmë mirë duart dhe më e rëndësishmja, të mbajmë maska, pasi shkencërisht, këto të fundit ndihmojnë në minimizimin e sasisë së dozës virale, që mund të marrim.

Burimi: CNN