Celebrity

Johnny Depp humbet gjyqin: Provat rezultojnë kundër tij!

Shkruar nga Anabel

2 Nëntor 2020

Johnny Depp humbet gjyqin: Provat rezultojnë kundër tij!

Johnny Depp ka humbur çështjen e tij shumë të reklamuar të shpifjes kundër botuesit të gazetës britanike The Sun, pretendimi i të cilit se aktori ishte një burrë abuziv, gjë e cila shkaktoi një përplasje në sallën e gjyqit midis yllit të Hollivudit dhe ish-gruas së tij Amber Heard në fillim të këtij viti.

Depp paditi News Group Newspapers dhe Dan Wootton, redaktorin ekzekutiv të The Sun, për një artikull që pretendonte se ylli i "Pirates Of the Caribbean" ishte i dhunshëm ndaj Heard, gjatë kohës që ata ishin së bashku.

Gjykata e Lartë e Mbretësië së Bashkuar vendosi të hënën në favor të botuesit.

Duke cituar prova, përfshirë fotografitë, regjistrimet audio dhe mesazhet me shkrim të vetë Depp, avokatët e grupit të gazetave argumentuan në proceset gjyqësore se Depp "rrahu gruan e tij Amber Heard, duke bërë që ajo të pësonte dëmtime të konsiderueshme, dhe me raste e frikësoi aktoren për jetën e saj.”

Gjykatësi Andrew Nicol tha në gjykimin e tij të hënën se pretendimet e gazetës kishin rezultuar të vërteta.

“Unë kam arritur në këto konkluzione pasi kam shqyrtuar në detaje 14 incidentet në të cilat mbështeten të pandehurit", tha gjykatësi.

Depp kishte pranuar probleme afatgjata me drogën dhe alkoolin gjatë gjyqit por tha që pretendimet se ai ishte i dhunshëm ndaj Heard ishin "plotësisht të pavërteta".

Përballja ligjore shkaktoi disa ditë dëshmie të tensionuara në korrik nga Depp, Heard dhe disa prej të njohurve të tyre.

Gjatë seancave gjyqësore Heard i tha gjykatës se Depp e kërcënoi ta vriste "shumë herë".

"Johnny solli vëmendjen tek unë, me gjithë intensitetin dhe errësirën e tij dhe ishte ndryshe nga çdo gjë që më kishte ndodhur në jetë," tha ajo në një deklaratë me shkrim.

"Disa incidente ishin aq të rënda sa unë kisha frikë se ai do të më vriste, me dashje ose thjesht duke humbur kontrollin dhe duke shkuar shumë larg. Ai në mënyrë të qartë kërcënoi të më vriste shumë herë, veçanërisht më vonë në marrëdhënien tonë," tha Heard para gjykatës.

The Sun, e cila është në pronësi të “Rupert Murdoch's News Corp”, tha në një deklaratë pas vendimit:

 "The Sun është ngritur dhe ka bërë fushatë për viktimat e abuzimit në familje për mbi 20 vjet. Viktimat e abuzimit në familje nuk duhet të heshtin kurrë dhe ne falënderojmë gjyqtarin për shqyrtimin e tij të kujdesshëm. Gjithashtu falënderojmë Amber Heard për guximin e saj në dhënien e provave në gjykatë.”

Burimi: CNN