Shqipëria

Nga mungesa e fakteve te teoritë konspirative: Fuqia e Fake News në median shqiptare

Shkruar nga Anabel

5 Nëntor 2020

Nga mungesa e fakteve te teoritë konspirative: Fuqia e Fake News në
Photo Courtesy/BIRN

Sipas një analize të BIRN – Balkan Investigative Reporting Network – Shqipëria po provon një tokë pjellore për teori konspirative dhe lajme të rreme në lidhje me pandeminë e koronavirusit, të cilat shpesh mbysin mediat kryesore. Analiza me titull “Fake News rivalizojnë lajmet e vërteta për shqiptarët që lexojnë për Covid-19” është përpunuar nga Besar Likmeta, që shërben si redaktor për Shqipërinë në BIRN që prej vitit 2007, i cili ka fituar çmimin CEI/SEEMO Award për Merita të Shquara në Gazetarinë Investigative në vitin 2009 dhe u rendit i dyti në çmimin Global Shining Light Award në Koferencën Globale të Gazetarisë Investigative në Gjenevë.

Shën.red. Balkan Insigh përqëndrohet te lajmet, analizat, komentet dhe raportimet investigative për Europën Juglindore dhe funksionon si një rrjet organizatash joqeveritare që promovojnë lirinë e fjalës dhe të drejtat e njeriut.

Në analizën e tij, Likmeta shprehet se u përdor BuzzSumo, një mjet analitik kërkimor me bazë në Mbretërinë e Bashkuar për të identifikuar artikujt në lidhje me Covid-19 të shkruara nga mediat shqiptare midis janarit dhe tetorit të këtij viti.

Gjatë periudhës së monitoruar, mediat shqiptare shpërndanë rreth 149,543 artikuj në Covid-19 në Facebook, duke shkaktuar rreth 4.89 milionë angazhime (engagements), duke përfshirë klikime, pëlqime dhe reagime të tjera. 20 artikujt kryesorë gjeneruan 93,711 reagime ose shpërndarje (share), por një lajm i botuar nga GazetaKorrekte.com, thotë ai, mori rreth 8,602 reagime. Në këtë lajm citohen deklaratat e farmacistit italian Stefano Montanarit që e konsideroi virusin si grip të zakonshëm. Kanali në YouTube, Byoblu, ku ai dha deklaratën gjithashtu është akuzuar për shpërndarjen e informacioneve të rreme.

Në analizën e BIRN, përmendet edhe një artikull i Opinion.al në lidhje me Rashid Buttar, i përshkruar si një i diplomuar në biologji dhe teologji nga Universiteti i Uashingtonit dhe një praktikues i mjekësisë alternative, që pretendon se koronavirusi ishte krijuar në të vërtetë nga SH.B.A. Artikulli pati një total prej 3,378 engagements në Facebook, duke përfshirë 602 shpërndarje dhe 567 komente. Likmeta thekson se artikulli nuk përmendi faktin që Buttar është një person që njihet për teoritë konspirative dhe fushatat anti-vaksinë.

Shën.red. Artikulli në lidhje me deklaratat e tij është publikuar edhe në Anabel.al. Siç mund ta lexoni duke klikuar këtu, në artikull përmendet që Buttar “është diskredituar disa herë për trajtime jo etike të pacientëvë” dhe ka marrë famë nëpër media që konsiderohen si media konspirative “me një historik të pasur raportimesh të pasakta dhe të diskredituara.”

Ndër të tjera, Likmeta thekson se hulumtimet po sugjerojnë se Shqipëria përfaqëson një terren pjellor për teoritë konspirative. Sipas një studimi të botuar Institute for Development Research and Alternatives, IDRA, 70% e të anketuarve thanë se besonin se Covid-19 u krijua në një laborator në Kinë. Rreth 65% shprehën besimin se virusi u krijua nga njerëz me pushtet ose nga kompani farmaceutike për para dhe pushtet. Një e treta e të anketuarve thanë se besonin në teorinë se rrjetet 5G kishin një rol në përhapjen e shpejtë të virusit, ndërsa 29% thanë se vaksinat kundër virusit do të përdoren për të instaluar mikroçipa për të ndjekur njerëzit.

Përpos teorive të përhapura nga burime të huaja, Likmeta përmend edhe ato me origjinë vendase. Ai përmend rastin e Sazan Gurit, i cili gjatë periudhës së karantinës shkroi në Facebook se agjencitë funerale po ofronin shërbime funerale falas madje edhe para në rast se familjet binin dakord që t’i regjistronin të afërmit e tyre të ndjerë si “njerëz që ndërruan jetë nga Covid-19”. Një artikull i botuar në portalin online të Fax TV vetëm mbi pretendimet e Gurit mori 2,300 engagements në Facebook, përfshirë 242 shpërndarje dhe 400 komente.

Analizën e plotë të Likmetës e lexoni këtu.