Health News

Koronavirusi me mutacion raportohet në 7 vende: Një lajm i mirë dhe një i keq

Shkruar nga Anabel

20 Nëntor 2020

Koronavirusi me mutacion raportohet në 7 vende: Një lajm i mirë

Në fillim të nëntorit, Danimarka paralajmëroi se mutacionet që pësoi koronavirusi te tufat e vizonëve mund të paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe zhvillimin e vaksinave. Së fundmi, raportohet se në shtatë vende janë gjetur mutacionet të SARS-SoV-2 i ngjashëm me atë të vizonëve, sipas analizave shkencore.

Vendet ku janë vënë re mutacionet e koronavirusit njësoj si te vizonët janë Danimarka, Holanda, Afrika e Jugut, Zvicra, Ishujt Faroe, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fermerët në Danimarkë janë udhëzuar që të eleminojnë të gjithë vizonët. Situata e komplikuar dhe reagimi publik ka detyruar ministrin e bujqësisë në Danimarkë, Morgens Jensen, të japë dorëheqjen. Kujtojmë se lëkura e vizonëve është tepër e lakmuar në industrinë e modës dhe veshjeve dhe Danimarka mban vendin e parë në botë për rritjen e vizonëve.

Pse te vizonët?

Arsyeja pse Covid-19 u përhap më shpejt në mes të vizonëve në Danimarkë ka të ngjarë të jetë për shkak të natyrës së industrisë, e cila përfshin mbajtjen e qindrave kafshëve në kafaze-rrjetë dhe në vende të afërta me njëra-tjetrën. Europa mban vendin e parë për prodhimin e gëzofëve të vizonëve, ku shumica e fermave ndodhen në Danimarkë. Në shtator, Danimarka njoftoi se do të eleminonte 17 milionë vizonë pasi një duzinë me njerëz u infektuan me një formë të mutuar të Covid-19.

Sipas Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, Covid-19 ka pësuar mutacion të paktën 20 herë që kur u zbulua te njerëzit në vitin 2019. Shumica e këtyre mutacioneve kanë pasur shumë pak efekt te virusi dhe disa e kanë bërë më të dobët, sipas një mostre të analizuar në tetor të këtij viti.

Por kur një virus kalon nga një specie në tjetrën, mutacionet mund të jenë më të rënda. Virusi përshtatet dhe zhvillohet në një organizëm të ri me përbërje të ndryshme biologjike dhe gjenetike. Kur kalon në organizëm tjetër, në këtë rast te njeriu sërish, mund të jetë më i fortë dhe elastik. Kjo do të thotë që nëse keni imunitet ndaj një lloji të Covid-19 - përmes një vaksine, për shembull - por më pas bini në kontakt me një lloj tjetër që është shndërruar në një specie tjetër, mund të mos keni imunitet.

Koronavirusi me mutacion raportohet në 7 vende: Një lajm i mirë

Cili është lajmi i mirë?

Ndonëse është një lloj virusi që ka pësuar mutacion, shkencëtarët nuk e dinë ende nëse është më vdekjeprurës. Në të vërtetë, Qendra Europiane për Kontrollin e Sëundjeve thekson se pacientët e infektuar me virusin që ka pësuar mutacion te vizonët nuk kanë pasur simptoma më të këqija. Rreziku është më i madh për njerëzit që punojnë në industrinë e bujqësisë, por edhe në këto raste rreziku është i moderuar.

Po lajmi i keq?

Varianti i vizonëve ka ngritur shqetësimin për shkak të efektit që mund të ketë te përgjigjja imune. Meqenëse vaksinat kanë të bëjnë me nxitjen e imunitetit, ekziston frika se vaksinat e Covid-19 nuk do të mbrojnë kundër këtij lloji virusi. Skenari më i keq është se ky lloj virusi me mutacion mund të kërkojë vaksina të reja dhe duke pasur parasysh se për të krijuar një vaksinë duhet kohë, Covid-19 mund të mos zhduket kurrë.

Por – dhe ky është lajm i madh – për momentin nuk ka asnjë provë që ky koronavirus i ri është më pak i ndjeshëm ndaj vaksinave aktualisht në zhvillim.

Burimet: Qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, Euronews, Guardian