Health News

Simptomat e Covidit shfaqen zakonisht sipas kësaj radhe

Shkruar nga Anabel

21 Nëntor 2020

Simptomat e Covidit shfaqen zakonisht sipas kësaj radhe

Simptomat e Covid-19, përfshirë temperaturën dhe kollën, janë të njëjta me një mori sëmundjesh, si për shembull gripi sezonal. Nisur nga kjo, studiues të Universitetit të Kalifornisë analizuan të dhënat e pacientëve me Covid-19 dhe me grip për të përcaktuar një rend më të zakonshëm të simptomave.

Për të parashikuar rendin e simptomave të Covid-19 dhe gripit, studiuesit analizuan të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për mbi 55,000 raste të konfirmuara me Covid-19 në Kinë. Ata gjithashtu studiuan edhe të dhënat për simptomat e gripit, të mbledhura në vendet e Amerikës së Veriut, Europës dhe hemisferës jugore midis viteve 1994 dhe 1998.

Studimi doli në përfundimin se pacientët me grip sezonal kanë fillimisht kollë përpara temperaturës dhe etheve, ndërkohë që simptoma e parë e Covid-19 përgjithësisht është temperatura. Sipas gjetjeve, rendi i simptomave të Covid-19, zakonisht, është kështu:

- temperaturë
- kollë dhe/ose dhimbje muskulare
- të përziera dhe/ose të vjella
- diarre

Studimi vuri theksin edhe te humbja e menjëhershme e nuhatjes dhe shijes, simptomë e rëndësishme që dallon Covid-19 nga gripi apo ftohja.

Burimi: Healthline