Health News

Pse Covid-19 po vret më shumë burrat sesa gratë, edhe në Shqipëri

Shkruar nga Anabel

21 Nëntor 2020

Pse Covid-19 po vret më shumë burrat sesa gratë, edhe në

ÇFARË THONË STATISTIKAT?

Sipas statistikave, duket se më shumë burra po ndërrojnë jetë nga Covid-19, në krahasim me gratë. Arsyet e mundshme, të cilat do t’i trajtojmë më gjerësisht në vijim, mund të lidhen me biologjinë dhe zakonet e këqija.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se në Europë, 63% e vdekjeve të lidhura me Covid-19 përbëhen nga burrat. Po kështu, në një studim të muajit mars nga Instituti i Lartë i Shëndetësisë në Romë, u tha se nga italianët e shtruar nëpër spitale, 8% e burrave ndërruan jetë, krahasuar me 5% te gratë. Në fillim të prillit, Departamenti i Shëndetit në New York raportoi se numri i vdekjeve të burrave ishte gati dy herë më i lartë.

PO NË SHQIPËRI?

Një situatë e ngjashme duket të jetë edhe në vendin tonë. Shifrat zyrtare të Intitutit të Shëndetit Publik tregojnë se pavarësisht se numri i grave të prekura nga Covid-19 është më i lartë, rezultati ndryshon kur bëhet fjalë për vdekjet. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, referuar numrit të vdekjeve deri më 20 nëntor, 67% janë burra.

PSE NDODH KJO?

"Disa nga arsyet kryesore pse COVID-19 mund të jetë më vdekjeprurëse për burrat sesa gratë mund të përfshijnë faktin se sëmundja e zemrës është më e zakonshme te burrat e moshuar sesa tek gratë e moshuara", tha për Healthline Dr. Stephen Berger, një ekspert i sëmundjeve infektive dhe bashkëthemelues i Rrjetit Global të Sëmundjeve Infektive dhe Epidemiologjisë. "Studimet gjithashtu zbulojnë se presioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet e mëlçisë janë më të përhapura te burrat dhe të gjitha këto kontribuojnë në rezultate më negative me COVID-19."

Sistemi imunitar mund të jetë faktor. “Gjenetika gjithashtu mund të luajë një rol të madh," tha Dr. Berger. "Gratë, për shkak të kromozomit të tyre shtesë X, kanë një sistem imunitar dhe përgjigje më të fortë ndaj infeksioneve sesa burrat".

Tjetër faktor mendohet të jetë edhe enzima e njohur si ACE2. Kjo enzimë, e cila është me e përqëndruar të burrat, mundëson që koronavirusi të infektojë qeliza të shëndetshme.

Nuk mund të mos përmenden faktorët e stilit të jetesës. Të gjitha sjelljet që ndikojnë negativisht te mushkërit luajnë një rol të madh në fatalitetin e koronavirusit. Studimet thonë se, përgjithësisht, pirja e duhanit – që dëmton mushkëritë – është më e përhapur si zakon te burrat.

Ndotja e ajrit është gjithashtu e rëndësishme, pasi burrat janë më të predispozuar për të punuar jashtë në natyrë dhe një gjë e tillë mund të ndikojë te mënyra se si organizmi i tyre i përgjigjet infeksionit.

Mënyra se si e konsiderojmë një rrezik ka gjithashtu rëndësinë e vetë. Një sondazh i Gallup në periudhën e parë të marsit, zbuloi se gratë ishin më të shqetësuara për Covid-19 sesa burrat (përkatësisht 62% dhe 58%). Nisur nga kjo, burrat duken më të ekspozuar ndaj virusit.

Shtojmë edhe faktin se në krahasim me gratë, burrat priren më shumë që t’i injorojnë simptomat e sëmundjes dhe të mos i marrin ato seriozisht.