Shqipëria

Cilën vaksinë do të marrë Shqipëria, të lirën apo të shtrenjtën? Përgjigjet Rama

Shkruar nga Anabel

24 Nëntor 2020

Cilën vaksinë do të marrë Shqipëria, të lirën

Në një komunikim për mediat, kryeministri Rama foli ndër të tjera për vaksinën që do të marrë vendi ynë duke u ndalur edhe te çmimi i saj.

“Jemi në fazën ku po bëjmë përpjekje çdo ditë që në radhë të parë të garantojmë vaksinën, duke filluar me vaksinimin e mjekëve, infermierëve, bluzave të bardha, mësuesve, punonjësve të policisë dhe të gjithë me radhë. Kini parasysh që po bëhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjitha vendet për të pasur në dispozicion sasira të caktuara. Por sasia që do të prodhohet nuk do të jetë e gjitha e nevojshme që në ditën e parë, por do të ketë një përshkallëzim. Ajo që ne na duhet është që të mos mbetemi në bisht dhe e dyta, të vëmë në dispozicion vaksinën për këto katogori njerëzish.”

Më pas shtoi:

“Nuk jemi në avantazhin që janë vendet prodhuese të vaksinës apo vendet e mëdha dhe të fuqishme apo vetë Bashkimi Europian. Kështu që po bëjmë të gjitha përpjekjet për të mos mbetemi jashtë këtij procesi dhe të mos presim. Kjo është sfida jonë.”

Në lidhje me çmimin, Rama sqaroi:

“Pastaj e lirë apo e shtrenjtë, kjo është një tjetër temë. Nuk i kemi lënë gjë mangët popullit kur ka qenë puna për gjëra që lidhen me elementët më të rëndësishëm për jetën. Nuk do ta lëmë mangët këtë detyrim, pavarësisht çmimit. Nuk do të thotë se do të marrim vetëm një lloj. Mund të marrim nga të gjitha llojet nëse do të kemi mundësi, siç po bëjnë të tjerët. Asnjë vend, mesa unë po shoh, nuk po fokusohet vetëm te një.”

Kujtojmë se si “vaksina e lirë” ekspertët po i referohen vaksinës së Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca, e cila ka rezultuar tepër efektive dhe gjithashtu ka disa avantazhe ndaj vaksinave të tjera. Oxford/AstraZeneca janë bashkuar me Covax, programin e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet dhe ka bërë marrëveshje me prodhuesit në vendet e tjera, ku bën pjesë edhe vendi ynë.

Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, në fund të shtatorit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha:

“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër Covid-19, nëpërmjet mekanizmit Covax, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian."