Shqipëria

Ministria e Shëndetësisë merr vendimin për shkollat: Mësim online dhe në klasë

Shkruar nga Anabel

25 Nëntor 2020

Ministria e Shëndetësisë merr vendimin për shkollat:

Në videon e saj të fundit të postuar në rrjete sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se fëmijët nuk vlerësohen të kenë infeksion ose të transmetojnë Sars-CoV-2 dhe shtoi se rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi nëpër shkolla janë zbatuar nga strukturat arsimore. Megjithatë për të minimizuar çdo rist, ministrja u shpreh se i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që mësimi të kryhet edhe online edhe në shkollë.

“Por për të minimizuar çdo risk gjatë kësaj periudhe ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur t’i rekomandojmë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që prej datës 1 dhjetor të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar. Pra, në formën klasike, me prani fizike duke e kombinuar me mësimin në distancë (online).”

Në fillim të nëntorit, ministrja e Arsimit, Evis Kushi e ftuar në programin “Radari Informativ” në ABC News, foli për situatën epidemike në shkollat dhe kopshtet e vendit, ku nuk përjashtoi mundësinë e mësimit online të kombinuar me atë fizik nëpër shkolla.

“Mbledhjet e qeverisë bëhen prej kohësh online, ndërsa me kryeministrin jemi takuar në aktivitetet që kemi. Përsa i përket skenarëve të ndryshëm ato do të aplikohen në varësi të situatës epidemike. Ne i kemi përgatitur të gjithë skenarët. Kemi tre skenarë për mënyrën se si do zhvillojmë mësimin. I pari është ky që jemi tani, ndërsa i dyti është kryerja e mësimit të alternuar duke e zhvilluar online dhe në shkolla, ndërsa skenari i tretë është zhvillimi i mësimit online.”