Shqipëria

Brenda dhjetorit do të aplikohen testet e shpejta

Shkruar nga Anabel

25 Nëntor 2020

Brenda dhjetorit do të aplikohen testet e shpejta
Photo Courtesy: Getty Images

Brenda muajit dhjetor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka në plan që të përfshijë testimet e shpejta që pritet të bëjnë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit. Në komunikimin e saj të fundit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh

“Prej mëse 9 muajsh, i gjithë sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri të plotë në përballje me këtë virus që po sfidon mbarë botën. Ne jemi duke vijuar punën tonë për të fuqizuar kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor, duke filluar nga përmirësimi i testimit, gjurmimit, izolimit dhe në këto momente përfshirja e testeve të shpejta brenda muajit dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit.”

Më tej shtoi:

“Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar gjithashtu vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash që po shpërndahen në qendrat shëndetësore.”

Ministrja nuk dha të tjera detaje në lidhje me mënyrën se si do të vijohet me testimet e shpejta. Ndër të tjera, Manastirliu njoftoi edhe vendimin për shkollat dhe mësimdhënien, ku sipas rekomandimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, mësimi duhet të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, online dhe fizik.