Ashtu siç u njoftua, duke filluar nga 1 dhjetori, shkollat do të aplikojnë mësimin alternuar online dhe njëkohësisht në klasa. Fillimisht, e gjithë kjo tingëlloi e paqartë për secilën nga palët, por Ministrja e Arsimit, Evis Kushi sqaroi si do të funksionojë kjo metodë, si një strategji që ndihmon në parandalimin e Covid-19.
Sipas këtij udhëzimi, klasat fillore, (klasa e parë deri në të pestën) dhe klasa e 12-të (maturantët) do të zhvillojnë procesin mësimor në ambientet e shkollës.
Pjesa tjetër, si klasa e 6-9 si dhe viti i parë dhe i dytë (klasa 10 dhe 11) do të zhvillojnë mësimin sipas një kalendari të ndarë në javë tek dhe çift.
Javën e parë dhe të tretë, 2 ditët e para të javës mësimi do të zhvillohet në mjediset e shkollës, ndërsa 3 ditët e tjera online. Në javët çift, java e dytë dhe e katërt do të alternohen.
Për momentin, kjo strategji mësimore do të aplikohet vetëm në shkolla që kanë risk të ulët të përhapjes së virusit. Nisur nga situata dhe ndryshimi i mundshëm i saj, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.
Pra:
Situatë e lehtë e pandemisë
– Klasa e 1, 2, 3, 4, 5 dhe e 12 mësim në shkolla
-Java e parë dhe tretë e muajit: Klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11- 2 ditë në shkollë dhe tre ditë online
-Java e dytë dhe e katërt: Klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11- 3 ditë në shkollë dhe 2 ditë online
Situatë mesme
-Klasa e 1, 2, 3, 4, 5 dhe e 12 mësim në shkolla, pjesa tjetër online
Situatë e rënduar e pandemisë
-Klasa e 1 dhe e 12 mësim në shkolla, pjesa tjetër online
Ministrja shtoi se situata e pandemisë nëpër shkolla do të vlerësohet çdo ditë të premte në bashkëpunim me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, të cilat do të raportojnë në Zyrat Arsimore lidhur me situatën e tyre, dhe më pas do të merret vendimi për çdo shkollë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi.