KORONAVIRUS

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid/ A ka lidhje gjinia dhe ç’duhet bërë, sipas Denata Toçes

Shkruar nga Anabel

30 Nëntor 2020

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid/ A ka lidhje gjinia dhe

Vetëvrasjet e pacientëve të infekuar me Covid-19 kanë ngritur shqetësimin në lidhje me shëndetin mendor të këtyre pacientëve dhe të gjithë faktorët e tjerë fizikë dhe emocionalë të cilët ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

E pyetur nga Tiranapost.al, psikologia Denata Toçe u shpreh se “nuk mund të dalim në përfundime” nëse ka një lidhje mes gjinisë dhe përballimit të sëmundjes, nisur nga fakti që të gjithë pacientët që i dhanë fund jetës janë meshkuj. “Nuk mund të dalim në përfundime. Fakt është që burrat janë më të prekur në numër, janë më shumë të shtruar, si pasojë edhe e vuajtjes më së shumti nga sëmundje bashkëshoqëruese (sipas statistikave në Shqipëri),” tha ajo.

Në lidhje me mbajtjen e telefonit, Toçe u shpreh se nuk do të ndihmonte.

“Nuk besoj [se telefoni do të ndihmonte]. Duhet kontakti i afërt me familjarët. Siç italiani krijoi ato dhomat me qese për t'u takuar njerëzit. Unë mendoj që të paktën një familjar duhet të lejohet të hyjë brenda. Të vishet mirë me veshjen mbrojtëse, por të shkojë për disa orë në ditë.”

Në vijim, në lidhje me protokollin e pëcaktuar nga OBSH, ajo tha:

“Protokolli ynë është marrë nga bota, mirëpo do përshtatur. Ne kemi një kulturë të tillë që kemi shumë frikë nga spitalet, nga shëndetësia. Jemi të painformuar përsa i përket marrjes së trajtimit spitalor, medikamenteve. [...] Vetë Covidi jep një vulnerabilitet në sistemin nervor qendror, edhe virozat e japin, jo vetëm Covidi.”

Sipas saj, “duhet ngritur urgjentisht një ekip multidisiplinar për të përshtatur protokollin, për të shtuar (në varësi të pacientit) antipsikotikë. Duhen vendosur në organikë psikologë, punonjës socialë dhe madje nevojë për trajtim psikologjik ka edhe stafi mjekësor.”

Në një intervistë në “Wake Up” në fillim të nëntorit, në lidhje me vetëvrasjet e pacientëve të infektuar me Covid-19, Dr. Arlinda Cerga, e cila prej 27 vitesh jeton në Angli ku ushtron profesionin si psikologe dhe në të njëjtën kohë është vëzhguese dhe studiuese për shëndetin mendor, u shpreh se vetëvrasja te pacientët me Covid-19 është tashmë fenomen global, por ndryshe nga rasti i Shqipërisë, vendet perëndimore nuk i bëjnë publike ngjarje të tilla.

“Në fakt nuk ndodh vetëm në vendin tonë, por merr më tepër vëmendje mediatike në vendin tonë. Fatkeqësisht është një fenomen global. Rritja e vetëvrasjeve është ajo për të cilën ne kemi folur që në mars dhe në prill ku kemi thënë se janë shkak i problemeve të shëndetit mendor dhe rritja e stresit psikologjik gjatë kësaj periudhe, sidomos te pacientët e shtruar, është tepër e rritur. Ka disa faktorë që ndikojnë në rritjen e vetëvrasjeve dhe fatkeqësisht nuk po ndodhin vetëm në Shqipëri. Por përveç arsyeve psikologjike, ka edhe mjaft arsye të tjera që vijnë për shkak të sëmundjes Covid. Disa nga teoritë e shpjegimit të këtyre tentativave apo akteve të kryera është për shkak të mungesës së oksigjenit në tru që shkaktohen dëmtime në zona të caktuara dhe krijohet inflamim në tru, i cili shkakton pastaj ato që quhen incidente të konfuzionit, të halucinacioneve, të psikozave. Këto janë parë deri në 70% të rasteve, sidomos në reanimacion. Kjo është globale.”

E pyetur nëse ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në Angli, Dr. Cerga u shpreh:

“Po, po, ndodhin por nuk pasqyrohen në shtyp dhe media dhe këtu dua të ndalem [...] Ajo që shihet shumë është se Shqipëria dhe India i japin vëmendje të fortë mediatike duke krijuar në mënyrë të pavetëdijshme një cikël imitimesh të vetëvrasjeve. Është pjesë e udhëzimeve dhe politikave editoriale, sidomos në vendet perëndimore, që vetëvrasjeve nuk u jepet rëndësi sepse krijojnë imitim tek personat të cilët identifikohen me personin që ka kryer vetëvrasjen. Jepet sa më pak informacion, jo në titull kryesor dhe nuk duhet të jepen detaje, ku ndodhi, si ndodhi, sepse po të vini re, vetëvrasjet kanë ndodhur tek personat që vuajnë nga Covid, janë të gjithë meshkuj, kanë një identikit të caktuar, janë në spital dhe që të gjithë kanë pasur hedhje nga dritarja.”

Deri në këto momente, specialistët nuk kanë gjetur një lidhje të fortë që të shpjegojë lidhjen mes gjinisë dhe vendimit për t'i dhënë fund jetës pas infektimit me Covid-19. Megjithatë, ka disa faktorë bindës të cilët shpjegojnë pse burrat janë më të rrezikuar nga Covid, edhe në vendin tonë.