Kompania gjermane BioNTech dhe kompania farmaceutike Pfizer kanë kërkuar autorizim nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për të lejuar përdorimin urgjent të vaksinës së tyre. Të dyja kompanitë kanë kërkuar autorizimin për përdorim edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dhe agjencia rregullatore e Mbretërisë së Bashkuar.
Vaksina e kompanisë gjermane BioNTech është 95% efektive, sipas kompanisë, dhe në veçanti, është 94% efektive te të rriturit mbi moshën 65 vjeç, të cilët janë ndër grupet më në rrezik nga Covid.
"Si një kompani e vendosur në zemër të Europës, etapa e sotme është e rëndësishme për ne pasi ne vazhdojmë të kërkojmë të mundësojmë një furnizim në të gjithë botën me miratimin e mundshëm të [vaksinës]", tha Ugur Sahin, drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemelues i BioNTech.
Bashkimi Europian kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje për të siguruar deri në 300 milionë doza të vaksinës BioNTech dhe Pfizer.
Ashtu si vaksina e kompanisë amerikane Moderna, edhe kjo vaksinë është ndërtuar me teknologjinë mARN, e cila ndihmon trupin të njohë atë që njihet si proteina “spike” e koronavirusit, e cila lejon virusin të hyjë në qelizat e trupit. Ndërsa vaksinat e tjera marrin informacion gjenetik nga një virus dhe e kultivojnë atë në një qelizë njerëzore, metoda mARN thjesht kërkon kodin gjenetik të virusit, duke shkurtuar kështu procesin e prodhimit.
Megjithatë, vaksina Pfizer/BioNTech duhet të ruhet në temperatura tepër të ftohta (-70 gradë Celcius) dhe kjo infrastrukturë nuk ekziston në shumë vende, gjë që do të thotë se shumë shtete nuk kanë gjasa që të marrin këtë vaksinë.
Kjo është arsyeja se pse vaksina e Oksfordit, ndonëse më pak efektive se ajo e Pfizer/BioNTech dhe Moderna, u pa si më me shumë përparësi, për shkak se është e qëndrueshme në frigorifer, transportohet lehtë, mund të përdoret kudo në botë dhe është më e lirë.
Oxford/AstraZeneca u bashkua me Covax, programin e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet dhe ka bërë marrëveshje me prodhuesit në vendet e tjera, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Vaksina e Oksfordit u pa si më e përshtatshmja për vendet në zhvillim. Mirëpo për momentin, kjo vaksinë po i nënshtrohet provave të tjera, pasi u njoftua një gabim në prodhim.
Artikuj të rekomanduar:
Burimet: Guardian, Euronews, Entrepreneur